300 specialistët e parë në 2019, Manastirliu: Plotësojmë nevojat me mjekë specialistë

Shqipëria

300 specialistët e parë në 2019, Manastirliu: Plotësojmë nevojat me mjekë specialistë

Më: 23 prill 2018 Në ora: 14:29
ilustrim

Ministria e Shëndetësisë ka gati një plan masash për mungesat e mjekëve specialistë në rrethe.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndoqi nga afër ecurinë e fazës finale të konkursit të specializimeve në Mjekësi, ku në mënyrë transparente u bë përzgjedhja e degëve sipas klasifikimit të pikëve për çdo kandidat.

“Me rikthimin e specializimeve në Mjekësi, për të katërtin vit radhazi janë gjithsej 800 kuota specializimesh, me të cilat plotësojmë nevojat me mjekë specialistë në të gjithë vendin. Këtë vit janë 247 kuota, nga të cilat 125 janë të dedikuara për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pra mjekë specialistë që do të shërbejnë aty ku janë nevojat me përfundimin e specializimit në specialitete si Urgjenca, Kardiologjia, Obsetrikë-Gjinekologjia, etj, sipas kontratës me Ministrinë”

Sipas ministres, kjo i shërben realizimit të objektivit për ofrimin e shërbimit me cilësi afër vendbanimit të qytetarëve.

“Ne kemi një plan masash për të plotësuar nevojat e shërbimit. Që nga viti 2019, do të kemi 300 specialistët e parë që padyshim do të plotësojnë boshllëkun e krijuar nga politika e vjetër. Ndërkohë po vijojmë me dy programet tona, atë të patronazhit dhe bonusit, me qëllim ofrimin e shërbimit të specializuar në spitalet rajonale, pranë vendbanimit të qytetarëve”, tha Manastirliu.

Me programin e patronazhit, ku mjekë të specializuar të spitaleve universitare të Tiranës po japin shërbim në spitalet rajonale sipas një kalendari të përcaktuar, në 3 muajt e parë të këtij programi, mbi 3 mijë qytetarë e kanë marrë shërbimin shëndetësor me cilësi, pranë vendbanimeve të tyre, shërbim për të cilin deri dje detyroheshin të udhëtonin kilometra të tëra drejt Tiranës.

Ndërkohë me programin e bonusit, 11 mjekë specialistë kanë pranuar të lënë Tiranën për të punuar në spitalet rajonale me bonusin e dyfishuar – deri në 2.5 milion lekë mbi pagën. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat