Qeveria bojkoton homazhet për Liri Belishovën, kurorë nga Meta

Shqipëria

Qeveria bojkoton homazhet për Liri Belishovën, kurorë nga Meta

Më: 25 prill 2018 Në ora: 09:30
Liri Belishovën

Familjarët dhe Organizata e Bashkuar e Veteranëve organizuan dje homazhe në nderim të Liri Belishovës, komunistes së orëve të para, e cila do të vuante nga vetë regjimi që ngriti 36 vjet dënime dhe internime.

Liri Belishova u nda nga jeta ditën e hënë në moshën 92- vjeçare, ndërsa do të përcillet nga të afërm, miq, bashkëvuajtës dhe dashamirës sot në orën 14:00, për në varrezat e Sharrës.

Dje në hollin e Hotel International, djali i saj, Petrit Çomo, gjykatës në profesion, hapi dyert e pritjes për njerëzit që e deshën dhe e vlerësuan Liri Belishovën. Një prej tyre, Rrahman Parllaku, i cili është njohur me zonjë Belishova që në kongresin e rinisë antifashiste në Berat dhe që bashkë me Lirinë do të ishte dhe ai viktimë e regjimit komunist, për të cilin ata u sakrifikuan në luftë.

Gjatë gjithë pasdites njerëzit e afërm të familjes kanë pritur miqtë e tyre, kryesisht kolegë të Petritit, por dhe veteranë. Ra në sy mungesa e autoriteteve shtetërore në këto homazhe, edhe pse Liri Belishova i përkiste sa komunistëve të orëve të para të lëvizjes, aq edhe të persekutuarve të regjimit komunist.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, përmes një mesazhi vlerësoi kontributin e Liri Belishovës që iu bashkua menjëherë Lëvizjes Antifashiste. “Nderim për atë dhe të gjithë të rejat që u frymëzuan me idealet e lirisë, duke iu bashkuar me guxim e idealizëm Luftës Antifashiste për çlirimin e vendit. Ato lanë bankat e shkollave për të realizuar idealet e tyre, të cilat për fat të keq u prenë në mes dhe shumë prej tyre u bënë viktima të një persekutimi çnjerëzor të pabesueshëm duke përjetuar tragjedi personale dhe familjare”, shkruan Presidenti Meta. [liria]

Këshilltarët e Presidentit Gjeneral Brigate, Piro Ahmetaj dhe Arbër Bashkurti, në emër të Presidentit Meta morën pjesë në homazhet për Liri Belishovën dhe vendosën një kurorë. Gjithashtu, e pranishme nga Forcat e Armatosura ishte zv.shefja e Shtabit të Përgjithshëm, Manushaqe Shehu.

Në homazhe ishin dhe deputeti i LSI-së, Luan Rama, dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, por dhe ish- deputetja demokrate, Majlinda Bregu me bashkëshortin. Familjarët, por dhe Organizata e Bashkuar e Veteranëve kanë vendosur që homazhet të vijojnë edhe gjatë paradites së sotme deri në orën 14:00 kur ajo do të përcillet, pasi shumë miq nuk janë informuar për zhvillimin e tyre.

Familjarët janë në pritje dhe të mbesës së saj, vajzës së vëllait, e cila është kujdesur për një kohë të gjatë për Liri Belishovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat