Bushati: Javën tjetër zhvillohen negociatat për marrëveshjen e detit me Greqinë

Shqipëria

Bushati: Javën tjetër zhvillohen negociatat për marrëveshjen e detit me Greqinë

Më: 25 prill 2018 Në ora: 13:50
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati

SHBA- Këto ditë, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ndodhet në Nju Jork për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të OKB-së mbi paqen e qëndrueshme. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ministri Bushati u ndal tek marrëveshja e detit me Greqinë. Ai tha se javën që vjen do të zhvillohet raundi i negociatave në nivel të ekspertëve shqiptarë dhe grekë sa i përket marrëveshjes apo tekstit për një marrëveshje për kufizimin e zonave detare.
 
Sakaq, ministri shtoi se për të garantuar transparencën, do të komunikohet me opinionin publik pas çdo raundi bisedimesh.

“Është e rëndësishme për ne që të kemi një marrëveshje sa më të drejtë e sa më të mirë, sa më të batueshme për të dyja palët. Shqiptarët dhe grekët janë dy prej popujve më të vjetër të Europës juglindore dhe ka shumë gjëra që na shkojnë me njëri tjetrin më shumë se ç’mund të na ndajnë”, tha Bushati.

INTERVISTA

Zoti Bushati! Rekomandimi për hapjen e negociatave për antarësim në Bashkimin Europian duhet tanimë të miratohet nga vendet anëtare, mes të cilave dy nga vendet më me peshë, si Franca dhe Gjermania, duket se janë të pavendosura. Ku qëndrojnë dilemat e tyre në raport me Shqipërinë?

Ditmir Bushati: Franca dhe Gjermania janë vende që përgjithësisht e thonë të fundit fjalën e tyre për shkak të peshës specifike, që kanë në vendim-marrjen e Bashkimit Europian. Ne jemi në një komunikim të vazhdueshëm me të gjitha vendet anëtare, e natyrisht edhe me Gjermaninë dhe me Francën. Besojmë se vizita e nesërme e kryeministrit Rama në Gjermani dhe takimet e tij me kancelaren Merkel dhe me kreun e Bundestagut, me fraksionet kryesore politike në Bundestag dhe me përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit do të jenë një shtysë në këtë drejtim.

Gjatë këtyre dy muajve do të vijojmë kontaktet dhe komunikimin lidhur me procesin e reformave, sidomos me reformave në fushën e së drejtës në ekonomi edhe me Francën dhe me vende të tjera, të cilat kërkojnë më shumë informacion dhe kërkojnë ta shfrytëzojnë kohën e mbetur në mënyrë sa më efektive që në fund të kemi një vendim-marrje, e cila do të ishte e kënaqshme për të gjitha palët.

Zoti Bushati, nëse siç ka deklaruar edhe kryeministri Rama që këto dilema lidhen me zhvillimet e brendshme politike të disa vendeve europiane, a nuk e vështirëson kjo lobimin që synoni të bëni ju në këto vende?

Fakti që për herë të parë nga Samiti i Selanikut në 2003, pra rreth 15 vite më pas, ne kemi një takim të nivelit të lartë në muajin maj në Sofie dhe një konfirmim të perspektivës europiane për vendet e Ballkanit perëndimor flet qartë për klimën e zgjerimit brenda Bashkimit Europian, e cila nuk është më e mira e mundshme.

Nga ana tjetër duhet të mbajmë në konsideratë atë çka ka deklaruar përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme të BE-së Mogherini apo presidenti Tusk sot në Tiranë se këtu bëhet fjalë jo thjesht për procesin e zgjerimit, por bëhet fjalë mbi të gjitha për konsolidimin e projektit europian, sepse është e pamundur që në shekullin 21 të jetë më e vështirë për të udhëtura nga Sarajeva në Tiranë se sa nga Tirana në Pekin.

Raporti i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut i vitit 2017 ishte mjaft kritik për Shqipërinë, për korrupsionin, ku thuhet se kjo dukuri ishte e përhapur në të gjithë degët e qeverisjes, për korrupsionin në fushën e drejtësisë, për kufizimet në lirinë e shprehjes dhe të shtypit, e shkaktuar nga interesat financiare dhe politike. Ju si do ta komentonit këtë raport?

Krahas progresit të qenësishëm që ka bërë Shqipëria në fushën e sundimit të së drejtës, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, promovimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, ka edhe mangësi, ka edhe sfida përpara. Nuk bëj pjesë në atë grup të politikanëve që do të dëshironin ta lexonin raportin me syze të ndryshme. Raporti i Komisionit Europian i publikuar para pak ditësh për këto fusha vlerëson progresin që ka bërë Shqipëria edhe krahasur më vende të tjera të rajonit. Korrupsini është një sfidë jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet e rajonit. Përgjigja më e mirë për të luftuar korrupsionin është reforma në drejtësi, është reformimi i institucioneve dhe dhënia e shembujve konkretë përmes kulturës së ndëshkimit.

A pritet të ndikojë ky raport i Departamentit Amerikan të Shtetit tek votimi, që do të mbahet tek Parlamenti Europian?

Besoj se vendet anëtare të Bashkimit Europian, krahas raportit që ka përgatitur Komisioni Europian, punojnë edhe në vendet tona, përfshirë edhe Shqipërinë përmes ekspertizave dhe misioneve të ndryshme, që ato kanë. Nga ana tjetër, me duhet të theksoj dhe të pranoj që raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit është nga raportet që lexohet me seriozitetin maksimal dhe me laps në dorë nga ana jonë për të gjithë gamën e çështjeve që rrok.

Shqipërisë iu besua drejtimi i Organizatës së Bashkëpunimit Rajonal RCC. Kam parasysh zgjedhjen e zonjës Bregu në këtë post. Krahas kësaj, Kosova u votua për të drejtuar procesin e bashkëpunimit mes vendeve të Europës juglindore. Si i shikoni ju këto zhvillime në rajon?

Më krijohet mundësia përmes Zërit të Amerikës të përgëzoj zonjën Bregu për këtë zgjedhje dhe në të njëjtën kohë të gjithë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të kësaj nisme, me të cilët kemi punuar fort gjatë gjithë kësaj periudhe për të arritur tek ky rezultat, i cili është para së jithash është për Shqipërinë. Për herë të parë Shqipërisë i besohet drejtimi i një prej nismave më të rëndësishme, një prej platformave më të rëndësishme në rajon. Mendoj që pas sigurimit të dy selive në Tiranë, Fondit të Ballkanit Perëndimor dhe Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin në fushën e Rinisë, marrja e këtij pozicioni nga ana e Shqipërisë dhe nga ana e zonjës Bregu (duhet të mësohemi që të shkojmë përtej emrave të përveçëm), është një lajm shumë i mirë për politikën e jashtme në Shqipëri, është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët.

Po kaq i mirë është edhe lajmi se Kosova do të ketë mundësinë, pas Bosnjes, pas pak muajsh, të marrë drejtimin e SEECP-it. Kur kujtoj përpjeket tona para 4 apo 5 viteve për të pranuar Kosovën në këtë nismë së bashku me partnerë të Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit tonë, mendoj se janë bërë hapa të sigurtë përpara në këtë drejtim. Besoj se Kosova do të ketë mundësinë që nëpërmjet drejtimit të kësaj nisme të dëshmojë seriotet, përgjegjshmëri dhe konstruktivitet.

Si është aktualisht ecuria e bisedimeve ne Greqinë? Duke lënë mënjanë çështjen e detit, ku nuk është ecur sipas parashikimit. Ju keni pranuar se ka disa vonesa, dhe se nënshkrimi i partneritetit strategjik është shtyrë për diku nga vera.

Ka patur vonesa për shkak të siuatës së brendshme dhe për shkak të nevojës për një rakordim më të mirë nga ana jonë. Javën tjetër do të jetë raundi i negociatave në nivel të ekspertëve shqiptarë dhe grekë sa i përket marrëveshjes apo tekstit për një marrëveshje për kufizimin e zonave detare. Ndërkohë, puna po vazhdon në të gjitha frontet e tjera. Mendoj se i gjithë procesi i bisedimeve për të gjithë temat që janë në bisedime me Greqinë është futur në hullitë e normalitetit dhe besoj se do të kemi mundësinë që të ecim përpara në adresimin e këtyre temave.

Duke qenë se bëhet fjalë për një çëshjte me ndjeshmëri të lartë, si do të garantoni ju transparencën e këtij procesi?

Do të vazhdojmë të komunikojmë me opinionin publik pas çdo raundi bisedimesh, pikat ku ka dakordësi dhe qartësi. Nga ana tjëtër, siç dihet në çdo proces negociimi apo diskutimi, jo çdo gjë që ka të bëjë me taktikat dhe opsionet e diskutimit, me skicimin e rrugëzgjidhjeve të ndryshme mund t’i komunikohen opinionit publik. Kjo është një çështje shumë delikate. E kemi thënë në mënyrë shumë të shkoqur se është e rëndësishme për ne që të kemi një marrëveshje sa më të drejtë e sa më të mirë, sa më të zbatueshme për të dyja palët. Shqiptarët dhe grekët janë dy prej popujve më të vjetër të Europës juglindore dhe ka shumë gjëra që na shkojnë me njëri tjetrin më shumë se ç’mund të na ndajnë.

Ju keni thënë se çështja çame është pjesë e strategjisë së qeverisë shqiptare në marrëdhëniet me Greqinë, ndërkohë që pala greke historikisht nuk e ka pranuar atë. Desha të di mendimin tuaj?

Kjo është një çështje që është përfshirë në programin politik të qeverisë shqiptare qysh prej vitit 2013, si pasojë edhe e një rezolute të miratuar nga parlamenti shqiptar me unanimitet sa i përket kësaj çështje. Mënyra se si konceptohet çështja çame është e ndryshme.

Kryeministri Rama e ka thënë disa herë edhe për mediat greke, unë kam patur rastin për ta detajuar konceptin tonë për këtë çështjë si një çështje ekskluzivisht e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, që nuk ka të bëjë assesi me pretendime territoriale në shekullin e 21, por është nj ë çështje që ka të bëjë me garantimin e lirisë së lëvizjes, është një çështje që ka të bëjë me respektimin e rregullave të Shengenit, është një çështje që ka bëjë me përgjegjësi individuale dhe jo më ndëshkime kolektive, është një çështje që ka të bëjë me garantimin e të drejtave pronësore në shekullin e 21, aq më tepër që Shqipëria dhe Greqia janë vende anëtare të Këshillit të Europës dhe janë të detyruara të zbatojnë jurisprudencën dhe parimet krysore në fushën e të drejtës së pronës dhe lëvizjes, që burojnë nga Konventa Europiane e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut dhe nga Gjykata e Strasburgut.

Kjo është një çështje gjithashtu që ka të bëjë me të drejtën e kujtesës për çka ka ndodhur. E kemi thënë disa herë; ne jemi politkanë të zgjedhur nga populli, nuk jemi historinë për të rishkruar historinë, nuk dëshirojmë që të mbetemi peng i historisë, por kemi gjithë përgjegjësinë për të skicuar rrugëzgjidhjet e duhura, që synojnë të zbutin sa më shumë plagët e të kaluarës dhe të ofrojmë një perspektivë të qartë edhe për këtë çështje mbi bazën e këtyre elementëve, që sapo shtjellova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat