Në pritje të takimit me Merkel, Rama merr mbështetjen e Schaubles

Shqipëria

Në pritje të takimit me Merkel, Rama merr mbështetjen e Schaubles

Më: 25 prill 2018 Në ora: 15:48
Foto e postuar nga Edi Rama

Urimi i mirëmëngjesit i kryeministrit Edi Rama erdhi nga Berlini. Një foto që përcillte pritjen me nderime, si parathënie e takimeve në vizitën zyrtare në Gjermani më rëndësishmi ai i pasdites me kancelaren Angela Merkel.

Fillimisht kreu i qeverisë u takua me Wolfgang Schäuble, presidentin e Parlanmentit gjerman që javët në vijim jep qëndrimin për rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në.

Për takimin e pritshëm me Kancelaen Merkel, Kryeministri Rama tha në një intervistë për Deutche Welle, se nuk është se ka shumë për t’i thënë.
“Sinqerisht nuk ka shumë për t’i thënë Kancelares, sepse ajo është mjaft në dijeni të rajonit, të sfidave dhe nevojës për perspekivë të qartë. Por do të diskutojmë për arritjet dhe rekomandimin e qartë e të pakushtëzuar të Komisonit Europian për të nisur negociatat pa vonesë”, deklaroi ai.

Dhe kur pyetet se çfarë ka ndërmend kur thotë “nisje të menjëhershme të negociatave”, kryeministri thotë: “Që sot!”.

Mes intervistës dëgjoi dhe prononcimin Gunther Krichbaum tek deklaronte se negociatat hapen kur Shqipëria të zbatojë reformat që ndërmerr dhe se kërkohen përpjekje të vendosura për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, si dhe për ndërtimin e një ekonomie të fortë.

Por Rama ka një përgjigje për kreun e Komisionit për Çështjet Europiane në Bundëstag ku do të ketë dhe seancë dëgjimore.

“Varet nga këndvështrimi në kuptimin që nëse do t’i shihnim këto çështje bazuar në fazën ku gjendemi, ne nuk kemi bërë vetëm progres thelbësor, por befasues. Përmes vetingut, vetëm në hapat e parë të tij kemi 21 gjyqtarë dhe prokurorë, pesha të rënda, që janë jashtë sistemit; pra sistemi po pastrohet. Në raportin e progresit dhe paketën e zgjerimit është shprehur qartë se ky është model për rajonin edhe për vendet që po negociojnë sot më BE. Po ashtu kemi rezultate befasuese të luftës kundër kultivimit të kanabisit. Kështu që po ta shohim nga kendvështrimi i hyrjes në një fazë të re është më shumë se mjaftueshëm, por po ta shohim si një fazë të të bërit anëtar të BE-së, po, jam dakord me zotërinë, që kemi ende shumë për të bërë”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se teknikisht Shqipëria i ka përmbushur detyrat e shtëpisë, tashmë është radha e gjykimit politik. Por Rama përsëriti se një Europë e sigurt është kur ka një Ballkan të sigurt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat