Xhaçka uron 256 ushtarët e rinj: Zgjedhje e duhur, FA kanë vëmendjen e qeverisë

Shqipëria

Xhaçka uron 256 ushtarët e rinj: Zgjedhje e duhur, FA kanë vëmendjen e qeverisë

Më: 27 prill 2018 Në ora: 09:57
Xhaçka

121 ushtarë të rinj iu bashkuan sot Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ndërkohë që 135 të tjerë përfunduan me sukses stërvitjen 10-javore për përparimin e mëtejshëm në gradë.

256 ushtarët e rinj u betuan dhe u certifikuan pas kryerjes së stërvitjeve individuale bazë dhe asaj të avancuar në Shkollën e Trupës në Bunavi.

E pranishme në ceremoninë e betimit dhe certifikimit të ushtarëve të rinj në Bunavi, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka uroi pjesëtarët më të rinj të Forcave të Armatosura shqiptare dhe i përgëzoi ata jo vetëm për zgjedhjen e bërë për t’iu bashkuar FA-ve, por edhe për vullnetin e treguar gjatë stërvitjes. “Me kënaqësi lexoj sot në sytë tuaj, kurajo, krenari për gjithë sa keni arritur deri tani, por dhe motivim për atë që do sillni pranë familjes së madhe të Forcave të Armatosura të vendit. Sot, ju 256 djem e vajza, i bashkoheni ushtrisë shqiptare dhe unë me shumë krenari mund të them, që keni bërë zgjedhjen e duhur. Dua të ndaj me ju, krenarinë për vullnetin që shfaqët dhe mirënjohje për përzgjedhjen që keni bërë.”- u shpreh ministrja Xhaçka.

Më tej ajo përmendi vëmendjen e shtuar të qeverisë shqiptare për ushtarakët shqiptarë si dhe mundësitë që Forcat e Armatosura ofrojnë për çdo të ri. “Forcat e Armatosura sot janë në vëmendjen e veçantë të qeverisë dhe të partnerëve tanë në NATO. Sot përfundoni një kurs dhe nisni një shkollë që do t’ju ofrojë mundësi dijesh dhe zgjedhjesh. Që sot, do keni mundësi të trajnoheni dhe stërviteni me kolegë të aleancës, dhe nesër, të shkëmbeni eksperiencë në vende të ndryshme të botës. Që sot, ju keni garancitë e duhura, se keni zgjedhur një karrierë të sigurt, me mundësi të larmishme për të arritur majat që aspironi në këtë mision kaq të nderuar. Çdonjëri prej jush, do ketë mundësi për të përfituar njohuri falas në gjuhët e huaja. Çdonjëri prej jush do ketë mundësi të jetë në të ardhmen, një pedagog i mirë, një trajnues i zoti, një komandant i aftë një diplomat i suksesshëm, pse jo edhe një gjeneral me 3 yje. Sot, unë jam këtu që t’jua ofroj këtë kontratë të sigurt, secilit prej jush. Ju mbetet ta përmbushni në drejtimin që do zgjidhni këtë kontratë, duke bërë kështu krenarë veten, familjen tuaj dhe mbi të gjitha vendin. Një gjë është e sigurt asgjë më shumë, nuk do t’ju japë nder, siguri dhe dinjitet sesa uniforma e ushtarakut, uniformë e cila, sot qëndron denjësisht përkrah aleatëve në NATO.”,- iu drejtua ministrja ushtarëve të rinj, të cilëve u foli edhe për vështirësitë dhe sakrificat që u duhet të kalojnë, në shërbim të vendit dhe komunitetit.

Në betimin dhe certifikimin e ushtarëve të rinj morën pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes gjeneral brigade Bajram Begaj, si dhe familjarë të ushtarëve.

Përpara betimit dhe certifikimit, të pranishmit ndoqën edhe një demonstrim me veprime fizike, taktike dhe qitjeje nga ushtarët e rinj.

Stërvitjen Individuale Bazë e përfunduan me sukses 121 të rinj, mes të cilëve 10 vajza, ndërkohë që Stërvitjen Individuale të Avancuar e kaluan 135 ushtarë, nga të cilët 5 vajza.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat