Bushati: Politika e dyerve të hapura të jetësohet edhe përtej Ballkanit Perëndimor

Shqipëria

Bushati: Politika e dyerve të hapura të jetësohet edhe përtej Ballkanit Perëndimor

Më: 28 prill 2018 Në ora: 11:03
Ditmir Bushati

“Shqipërisa mbështet politikën e dyerve të hapura dhe perspektivave integruese të vendeve aspirante” deklaroi kryediplomati Ditmir Bushati, i cili mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s që u zhvillua me 27 Prill në Bruksel.

Ky takim trajtoi çështje të rëndësishme të sigurisë transatalantike, duke përfshirë temën komplekse të marrëdhënieve me Rusinë, rëndësinë strategjikë të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, situatën aktuale në Afganistan në kuadër të Procesit të Kabulit, si dhe politikën e dyerve të hapura.

Ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s inkurajuan vendet aspirante për të vazhduar angazhimin e tyre në rrugën euro-atlantike si dhe zbatimin e reformave të nevojshme.

Në një intervistë për gazetarët, ministri Bushati tha se “ramë dakord për të fuqizuar prezencën e NATO-s në bashkëpunim me Bashkimin Europian përsa i përket jugut të NATO-s me operacionet, me programet e ndërtimit të kapaciteteve dhe me mundësinë për të krijuar një dialog edhe më të strukturuar përsa i përket arkitekturës së sigurisë në Lindje të Mesme dhe në Afrikën e Veriut”.

“Në lidhje me politikën e dyerve të hapura, Shqipëria nuk diskutohet, është një vend përfitues i drejtpërdrejtë i kësaj politike, ç’ka ka sjellë edhe transformimin rrënjësor të strukturave të fushës të sigurisë, por jo vetëm. Dhe ne besojmë se politika e dyerve të hapura duhet të vijojë të jetësohet, qoftë në Ballkanin Perëndimor, por edhe përtej Ballkanit Perëndimor. Ne vijojmë të mbështesim aspiratën e Kosovës për një marrëdhënie të institucionalizuar me NATO-n”, deklaroi ai.

Bushati shton se “përtej pranisë së madhe të NATO-s në Kosovë me KFOR-in është e rëndësishme që strukturat e sigurisë në Kosovë të përfshihen  gradualisht në një raport më drejtëpërdrejtë më të instuticionalizuar më kreativ me organizatën në kushtet kur ka ende vende që nuk e njohin Kosovën si një shtet i pavarur dhe besojmë se ky proces do të ishte me përfitim jo vetëm për Kosovën por edhe për vet NATO-n dhe BE që në mënyrë komplemetare të zgjerojnë  rrezen e influencës demokratike në Ballkanin Perëndimor”.

I pyetur lidhur me takimin e zhvilluar me homologoë të tij nga vend etë ndryshme, ministri tha se “kam diskutuar në lidhje me progresin e Shqipërisë dhe me pritshmëritë tona për një vendimmarrje të drejtë dhe të kënaqshme për të dyja palët, pra për një vendimmarrje që përmbush qoftë pritshmëritë tona, për shkak të procesit të reformave të vështira që kemi ndërmarrë dhe që kanë filluar të japin rezultatet e tyre në jetën e përditshme dhe nga ana tjetër një vendimmarrje, e cila kuptohet, akomodon disi vendet anëtare dhe sensibilitete të ndryshme, që ato kanë, për shkak të dinamikës politike brenda vetë këtyre vendeve”.

“ Dhe një gamë tjetër çështjesh kanë qenë çështjet dypalëshe, qoftë në diskutimet me homologun norvegjez, spanjoll apo grek, ku sidomos me këtë të fundit, ne kemi pasur mundësi për të marrë në shqyrtim progresin e bërë gjatë tre javëve të fundit, sepse ky është një proces, i cili çdo ditë ecën nga pak edhe për t’u futur në fazën e re që ne do të hapim me palën greke javën që vjen”, tha Bushati. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat