‘Shqipëria nga dje nuk ka gardianë të Kushtetutës, Rama e asgjësoi gjykatën’

Shqipëria

‘Shqipëria nga dje nuk ka gardianë të Kushtetutës, Rama e asgjësoi gjykatën’

Më: 4 maj 2018 Në ora: 13:15
Sali Berisha

Që nga dita e djeshme Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk ekziston më. Pas vendimit të KPK-së, për shkarkimin e gjyqtares Altina Xhoxhaj, Kushtetuesja ka mbetur pa anëtarë.

E duket se ky vendim ka qenë i llogaritur me qëllim që vendi të ngelë pa Gjykatë Kushtetuese e njëkohësisht pa një Institucion që të vlerësojë vendimet e qeverisë së Edi Ramës.

Për këtë shqetësim ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e cilëson si një ‘puç kushtetuese nga narkoshteti i Edi Ramës’.

Reagimi ish-kryeministrit Sali Berisha në Facebook:

Asgjësimi i Gjykatës Kushtetuese puç anti-kushtetues i Edvin Kristaq Ramës dhe narkoshtetit të tij!

Të dashur miq, Shqipëria nga dita e djeshme nuk ka më Gjykate Kushtetuese, organi përgjegjës sipas Kushtetutës së vendit për garantimin e kësaj të fundit si dhe lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë.

Ky është një puç i vërtet antikushtetues, vepër makabre kriminale e Edvin Kristaq Ramës, i cili pasi u bë kryegjykatës dhe kryeprokuror i Shqipërisë përdori vetingun për të rrëzuar institucionin e fundit kushtetues që nuk varej prej tij.

Sot në Shqipëri, i gjithë pushteti ekzekutiv, gjyqësor dhe legjislativ, njëlloj si në ditët më të zeza të diktaturës është në duart e një kryekrimineli që nuk njeh norma, kufij apo standarde  për pushtetin e tij personal.

Përdorimi i vetingut, në sy të mbarë shqiptarëve dhe botës, jo për të reformuar pushtetin gjyqësor por për të eliminuar institucionet kushtetuese është një akt makabër për vendosjen e plotë të narkoshtetit në Shqipëri.

Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe puçin antikushtetues të Edvin Kristaq Ramës dhe klikës së tij, ftoj qytetarët të ngrihen në lartësinë e guximit të tyre dhe te flakim sa më parë kalbësirën e tij!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat