Basha u bën thirrje qytetarëve: Të bashkohemi më 26 maj në protestën më të madhe

Shqipëria

Basha u bën thirrje qytetarëve: Të bashkohemi më 26 maj në protestën më të madhe

Më: 18 maj 2018 Në ora: 14:22
Konferenca e PD-së

Kryetari i PD, Lulzim Basha bëri thirrje për një protestë masive, për largimin e “qeverisë së krimit”.

Protesta do mbahet më 26 maj në Tiranë.

“Opozita shqiptare i fton të gjithë shqiptarët, demokratë e socialistë, në protestën më të madhe kombëtare, për të larguar pengesën e vetme për Shqipërinë europiane, qeverinë e lidhur me krimin.

Sot duhet të kemi një ministri të brendshme dhe një polici që i shërben njerëzve, jo një polici që rrëmben Dritan Zaganin dhe kuksianët, por i shërben Habilajve dhe Xhafajt.

Duam një polici që nuk ka asnjë lidhje me krimin, një polici ku vetingu nis nga ministri.

U ftojmë për të protestuar për një drejtësi të barabartë për të gjithë. Të gjithë ne duam një Shqipëri pa krim, pa drogë, një Shqipëri europiane, një Shqipëri me mundësi e dinjitet për të gjithë.

Është momenti për të mos e shtyrë më. Nuk mund të humbasim energjitë tona duke u marrë me kriminelin e radhës në politikë.

Është koha të mbyllim njëherë e mirë të kapitullit të politikës së lidhur me krimin.

Ndaj i ftojmë të gjithë qytetarëve në protestën kombëtare. Së bashku mund të arrijmë, së bashku ia kemi arritur. Rama i mbrojti, por ne e larguam Arben Ndokën, Mark Frrokun, Saimir Tahirin, Elvis Rroshin, Armando Prengën.

Sot Edi Rama po mbron Fatmir Xhafajn, por ne do e largojmë atë dhe Edi Ramën në krye.

Shqipëria ka njerëz të ndershëm, që mund t’i shërbejnë popullit. Edhe PS ka njerëz të ndershëm që mund t’i shërbejnë popullit. Ndaj ju ftoj edhe ju socialistë të ndershëm në protestë, partinë e të cilëve Rama ia ka lënë peng krimit.

Nuk ka ndryshuar BE, siç tha Rama, por nuk hapen negociatat pa e luftuar krimin,” tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat