Rama tregon ‘sekretin’ nga Tepelena: Ja si të bëni para

Shqipëria

Rama tregon ‘sekretin’ nga Tepelena: Ja si të bëni para

Më: 22 maj 2018 Në ora: 12:29
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje banorëve të Tepelenës dhe qyteteve të vogla që ti kushtojnë rëndësi agroturizmit, përmes hapjes së hoteleve dhe bujtinave.

Ai tha se kushdo që të investojë në këtë fushë, do të ketë tatim fitimi vetëm 5%, ndërsa TVSH-ja do të jetë vetëm 6%.

Rama premtoi gjithashtu ndihmë financiare nga shteti për këto investime.

PJESE NGA FJALA E RAMES

Shpesh herë thuhet fasada, palma, drita, lojëra. Ka një fakt. Sa kushtonte një apartament në Tepelenë para realizimit të këtyre projekteve? Kush e shiste 10 milionë të vjetra ishte me fat. Sot kushton 40 milionë mesatarisht. Por në qendër të qytetit nuk shet njeri më apartament. Sa kushtonin shtëpitë e Gjirokastrës para fillimit të programit? Sa kushtojnë sot nëse ke shans të gjesh ndonjë që do të shesë? Është një rritje e vlerës në të gjithë territorin nga Tepelena në Tropojë.

Kemi përpara një minierë të pashfrytëzuar për të bërë para, aty ku duket sikur varfëria është dënim i përjetshëm. Kemi minierën e bukurisë së vendit tonë dhe këtyre zonave. Si mund të bëjmë para? Jo për të mbijetuar, por për të pasur mirëqenie me bukurinë, traditën e mikëpritjes dhe duke e transformuar shtëpinë dhe tokën rrotull në një agrobiznes. Në Nivicë kishin mbetur 30 familje dhe mund të blije shtëpi me 2 milionë lekë të vjetra. Sot atje është gjëja më e vështirë për të blerë shtëpi.

I bëj thirrje të gjithë atyre që janë në emigracion të shohin mundësinë për të bërë agroturizëm, do të kenë tatim fitimi vetëm 5% dhe tvsh vetëm 6%. Kjo është një zonë ku blegtoria mund ti shërbejë tryezave të mikëpritjes përmes bujtinave dhe hoteleve të vegjël të agroturizmit. Në vend që ata që kanë 10 dele të merohen ku do e shesin qumështin dhe djathin, krijohet një cikël i mbyllur që i bën të gjithë të fitojnë para.

I kam thënë shokut Tërmet, boll u krenove me këto që ke bërë në qytet, ngjitu nëpër male dhe flit me njerëzit që kanë shtëpi atje. Ne do të mbështesim projektet financiarisht, do të japim para për të bërë hapin e parë. Kjo do të sjellë që në shtëpitë e sotme ku rri hija e varfërisë në këto zona të mrekullueshme, të hyjë rrezja e dritës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat