Luan Rama: Shqipëria kërkon negociatat me BE-në, por s’ka gjykatë Kushtetuese

Shqipëria

Luan Rama: Shqipëria kërkon negociatat me BE-në, por s’ka gjykatë Kushtetuese

Më: 29 maj 2018 Në ora: 12:06
Luan Rama

Në lidhje me ngërçin në Gjykatën Kushtetuese reagoi sot edhe zv.kryetari i LSI-së, Luan Rama.

Sipas tij ky mosfunksionim i gjykatës mund të sjellë edhe një ngecje në marrëveshjet shqiptaro – greke duke hequr një paralelizëm me atë që ndodhi në 2009 kur Partia Socialiste e çoi çështjen në këtë institucion.

Reagimi

Në qeveri dhe në përbërje të grupit parlamentar të maxhorancës së Edi Ramës ka juristë të zotë e me përvojë që e kuptojnë shumë mirë se çfarë do të thotë të cënosh Drejtësinë Kushtetuese, dhe pavarësisht se ata janë aq të padinjitet sa nuk guxojnë as të flasin, me heshtjen e tyre të turpshme janë bërë fajtorë, dhe kostove të njëpasnjëshme që pengojnë çeljen e negociatava me BE-në, iu kanë shtuar edhe mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese apo të asaj që në manualet e institucioneve të drejtësisë njihet ndryshe si “Rojë e Kushtetutës”.

Është kjo arsyeja që kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për të kontrolluar dhe mbrojtur procesin ligjvënës, në thelb vlerësohet si bazamenti i shtetit të së drejtës.

Me lejoni gjithashtu të abstragoj mbi një kazus, duke e sjellë marrëveshjen e detit me Greqinë ne realitetin e sotëm. Partia Socialiste me të drejtë ju drejtua Gjykatës Kushtetuese për t’a shpallur të pavlefshme marrëveshjen e nënshkruar mes dy qeverive respektive disa vite më parë, dhe falë atij vendimi, marrëveshja për hapësirën detare mes Shqipërisë e Greqisë po rinegociohet!

Por, imagjinoni sikur në atë kohë, Gjykata Kushtetuese të ishte kjo që është sot apo më saktë në gjendjen që është sot, vetëm me dy gjyqtarë, për të hamendësuar fare lehtë se çfare mund të ndodhte?! Thënë fare shkurt dhe qartë: Shqipëria sot është një vend pa Drejtësi Kushtetuese, është një vend pa “Rojen e Gjykatës Kushtetuese”, është një vend pa Gjykatë Kushtetuese!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat