Nënkomision parlamentar për veprimtarinë e KLSH-së

Shqipëria

Nënkomision parlamentar për veprimtarinë e KLSH-së

Më: 4 qershor 2018 Në ora: 11:19
Nënkomisioni i KLSH-së

Kuvendi do të ngrejë një nënkomisioni parlamentar për monitorimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Kjo u konfirmua sot nga Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili ishte i pranishëm në tryezën me temë “Zhvillimi i marrëdhënieve efektive të punës midis institucioneve të larta të auditit dhe parlamenteve”.

Në këtë tryezë, KLSH prezantoi edhe strategjinë për zhvillimin e institucionit për periudhën 2018-2022.

Duke vlerësuar rolin aktiv, cilësor dhe më vizionar të KLSH-së, Ruçi tha se “Kuvendi dhe KLSH janë partnerë për kontrollin e ekzekutivit”.

“Por kush i ruan “rojet”? KLSH është nën kontrollin e Kushtetutës dhe qytetarëve”, tha Ruçi.

Kuvendi, vijoi ai, krijoi mekanizimin ndërinstitucional parlament-qeveri-institucione të pavarura, si një instrument efikas për monitorimin sistematik të ndjekjes dhe zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura nga ekzekutivi.

Ky mekanizëm, sipas tij, synon ndikimin e drejtpërdrejtë në rritjen e kontrollit parlamentar si dhe rolit mbikqyrës dhe monitorues.

“Instrumenti i ngritur nga Kuvendi u përshëndet edhe nga raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë në prill 2018. Që në fillim të veprimtarisë së tij, mekanizmi përfshiu raportin vjetor të institucioneve të pavarura, duke i kushtuar vëmendje të veçantë zbatimit të rekomandimeve të KLSH-së”, shtoi Ruçi.

Mekanizimi i krijuar në Kuvend dhe Plani i tij i Veprimit, sipas kreut të Kuvendit, “janë në harmoni me praktikën dhe parimet më të mira europiane për marrëdhëniet midis parlamenteve dhe institucioneve supreme të auditimit”. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat