Berisha: Dy spiunë tek negociatat për detin! Grekët po imponojnë marrëveshjen

Shqipëria

Berisha: Dy spiunë tek negociatat për detin! Grekët po imponojnë marrëveshjen

Më: 7 qershor 2018 Në ora: 12:02
Sali Berisha

Duke cituar ato që i quajti burime të “2-3 fishta”, Sali Berisha lëshoi “bombën” në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë, kur tha se me Greqinë nuk po zhvillohet asnjë negociatë për ndarjen e kufirit detar.

Ish-Kryeministri tha se informacionet që i përcjellin këto burime tregojnë për një imponim të palës greke.

“Grekët në mënyrën më arrogante dhe prepotente i kanë dorëzuar palës shqiptare marrëveshjen përfundimtare dhe i kanë thënë: Merreni se për këtë s’ka asnjë koment, asnjë diskutim. Pra, që s’mund ta komentojmë e diskutojmë”, tha ai.

Berisha thotë se në marrëveshje, grekët bëjnë të qartë ndalimin e fjalëve “koncesione” dhe “ekuiti” për zonën ekonomike.

Ish-Kryeministri flet për refuzim të marrëveshjes nga një pjesë e anëtarëve dhe për tradhti nga dy prej tyre. Akuzon edhe Kryeministrin Rama se po kërcënon anëtarët e delegacionit shqiptar.

“Disa anëtarë të delegacionit kanë shprehur refuzimin e plotë, kanë bërë letra për shefat e tyre ku i njoftojnë për imponimin që kërkon të bëjë pala greke. Skapi famoz dhe agjenti Muçollari arrinin që të falsifikojnë edhe minutat e diskutimeve, të bindin për të firmosur letra pasi janë hequr gjërat nga aty. Dy persona secili më i zi se tjetri, Skapi famoz dhe spiuni Muçollari, i njohur se punon në çdo rast kundër Shqipërisë. Nga Edi Rama, anëtarët kanë marrë kërcënime për largime imediate nga Athina dhe bisedimet”, vijoi ai.

Berisha thotë se edhe ishulli i pabanuar, Othon merr fuqi të plotë, njësoj si ishull i banuar.

“Ishulli Othon merr fuqi të plotë, si për ujërat territoriale ashtu dhe për zonën ekonomike. Ai ishull që bëri zhurmë pala greke i bën të qartë palës shqiptare se ishulli ka të gjithë fuqinë si një ishull të banuar”, u shpreh ish-Kryeministri.

Berisha deklaroi gjithashtu se të gjitha këto përforcohen nga deklaratat e ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kamenos.

“Kamenos ka thënë se Greqia do të zgjerojë ujërat territoriale. Ndaj kujt do t’i zgjerojë? Sigurisht ndaj Shqipërisë”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat