TAP/ Rama: 3 qytete do të përfitojnë qindra vende pune

Shqipëria

TAP/ Rama: 3 qytete do të përfitojnë qindra vende pune

Më: 8 qershor 2018 Në ora: 15:48
Edi Rama

Ndërtimi i gazësjellësit TAP në vendin tonë është një nga shembujt se projektet e mirëorganizuara nuk hasin në pengesa burokratike me shtetin.

Kështu është shprehur nga Fieri, Kryeministri Edi Rama duke folur në stacionin e kompresimit të TAP.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri ka vlerësuar punën për ndërtimin e këtij investimi madhor, duke theksuar se gazësjellësi do të ndikojë drejtpërdrejt në ekonominë shqiptare. Tre do të jenë qytetet që do të përfitojnë nga masterplani i gazifikimit.

“Zona e parë përfituese dhe strategjike e gazit në Shqipëri do të jetë trekëndëshi Ballsh – Fier – Patos”, tha Rama.

Kryeministri shtoi gjithashtu se pjesa më e madhe e fuqisë punëtore në gazësjellësin TAP, janë vendase dhe kjo do të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve të tyre profesionale.

“Jam krenar për faktin se kur kemi nisur këtë punë nga ana e palës që financon dhe administron na është shprehur dhe shqetësimi se mos vallë Shqipëria kthehej në pengesë për shkak të burokracisë dhe problematikave. Sot pala që investon e ka thënë që Shqipëria ka qenë një surprizë pasi nuk ka pasur asnjë lloj pengese apo vonese nga pikëpamja e marrëdhënieve administrative për asnjë lloj arsyeje, për lejet e të gjitha natyrave.

Ky është një shembull shumë pozitiv që për ne është edhe një provë që angazhimi në projekte të tilla nëse është i mirëstrukturuar mund të sjellë zero pengesa administrative duke garantuar shpejtësi dhe cilësi. Projekti në të gjithë hallkat deri tani nuk ka shënuar asnjë vonesë. Mbi 70% e fuqisë punëtore është vendase. Janë vende të reja pune duke ndikuar në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknike”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat