Rritja e çmimeve, shëndetësia dhe financat familjare, problemet më të mëdha të shqiptarëves

Shqipëria

Rritja e çmimeve, shëndetësia dhe financat familjare, problemet më të mëdha të shqiptarëves

Më: 15 qershor 2018 Në ora: 13:40
Ilustrim

Janë më shumë shqiptarët që e vlerësojnë si të keqe situatën ekonomike të vendit sesa ata që e vlerësojnë si të mirë.

Këtë e tregon eurobarometri, i sapopublikuar nga Komisioni Europian dhe që tregon se si e vlerësojnë shqiptarët situatën në të cilën ndodhet ekonomia e vendit dhe ajo familjare dhe se çfarë presin për të ardhmen.

Sa i përket situatës ekonomike aktuale në vend, gjysma e shqiptarëve, 49%, e vlerësojnë si të mirë, po aq sa europianët. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo normë vlerësohej po në 49%, por një vit më parë, numri i atyre që e vlerësonin si të keqe situatën ishte më i vogël se sot, thotë Komisioni European.

Sa i përket financave personale, 62% e shqiptarëve e vlerësojnë mirë, ndërkohë që për europianët kjo normë fiksohet në 71%. Pak a shumë e njëjta situatë vlerësohet për situatën me punën.

Shqiptarët, ndryshe nga europianët, mendojnë se në 12 muajt e ardhshëm, situata e punësimit në vend dhe situata e tyre personale me punësimin do të jetë e mirë. Siç duket qartë nga grafiku, ku Shqipëria përfaqësohet me ngjyrën bojëqielli, për ne kjo normë fiksohet në rreth 50%, ndërkohë që për europianët në rreth 25%, pra gjysma.

Por, nga ana tjetër, të pyetur për problemet kryesore të vendit, shqiptarët nuk kanë dyshime; në krye të listës vendosin gjendjen ekonomike, me një normë në 36%, ndryshe nga europianët që vendosin punësimin.

Në vend të dytë klasifikohet papunësia. Për ne kjo normë është në 25%, ndërkohë që për europianët kjo normë ngjitet në 34%. Problemi numër tre klasifikohet si shëndeti dhe çështjet e lidhura me të.

Në vend të 4-t, shqiptarët identifikojnë emigracionin, në vend të 5-të çmimet dhe rritjen e çmimeve, në vend të 6-të pensionet. Situata përmbyset tërësisht kur pyeten se çfarë i shqetëson ata personalisht.

Këtu, shqiptarët zgjedhin në vend të parë çmimet, në vend të dytë shëndetin me kontributet shoqërore dhe financat personale të tretat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat