“Në hasmëri” me Ramën! Artistët “ngujohen” në Teatrin Kombëtar

Shqipëria

“Në hasmëri” me Ramën! Artistët “ngujohen” në Teatrin Kombëtar

Më: 15 qershor 2018 Në ora: 17:47
Teatri Kombëtar

Pasditja e kësaj të premteje do t’i gjejë artistët në Teatrin Kombëtar, për të nisur, ashtu siç kishin paralajmëruar, protestën e tyre në mbrojtje të teatrit.

“Ne do të mblidhemi aty në çdo moment të ditës dhe të natës mund të mblidhemi me njëri-tjetrin, jo për të bërë protesta, por për të bërë zhvillime aktivitetesh të ndryshme, pra është një lloj ngujimi artistik që ne jemi aty duke bërë shfaqje, por njëkohësisht i kemi antenat e ngritura në qoftë se vjen dikush ta shembi teatrin. Do të ketë gjatë gjithë kohës njerëz të cilët do të rrinë aty”, tha Robert Budina, regjisor.

Artistet shprehen të vendosur në kërkesën e tyre për të kundërshtuar projektligjin e propozuar nga qeveria shqiptare për tjetërsimin e truallit të Teatrit Kombëtar dhe as takimi i së enjtes me Kryebashkiakun e Tiranës, nuk ka shërbyer për të zgjidhur situatën.

“Ne dje megjithëse ishim të ftuar nga Kryetari i Bashkisë dhe ai përdori tone të moderuara me ne për tu futur në dialog, gjë që e vlerësoj jashtëzakonisht shumë, ne vazhdojmë të jemi të këtij mendimi sepse në fund, pas gjithë atij dialogu kryetari i Bashkisë mbeti po tek e njëjta ide, pra që qeveria shqiptare vazhdon të këmbëngulë në projektligjin e saj dhe për ketë do që të hape negociata, përfshirë edhe artistët. Ne jemi kundër tjetërsimit te truallit të Teatrit Kombëtar dhe do të vazhdojmë ta kundërshtojmë këtë projektligj deri ditën që qeveria do të tërhiqet!”, shprehet regjisori.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat