Linja Maqedoni-Elbasan e kthen Fierin në nyje të rëndësishme energjetike

Shqipëria

Linja Maqedoni-Elbasan e kthen Fierin në nyje të rëndësishme energjetike

Më: 16 qershor 2018 Në ora: 11:11
ilustrim

Në kuadër të turit të llogaridhënies publike të qeverisë, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri bashkë me Ministrin e Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj zhvilluan një takim me banorë të Fierit.

Në fjalën e tij, ministri Gjiknuri u ndal tek investimet që janë kryer dhe ato në proces në këtë qark sa i takon infrastrukturës.

“Ju e keni parë që janë bërë investime serioze në Fier. La përfituar nga investimet me serioze në energjinë elektrike. U bë rrjeti 20 kv për pjesën më të madhe të qytetit. Nuk ka përfunduar ende dhe do të vazhdojë pjesa tjetër. U zgjidh një gangrenë e akumuluar prej shumë vitesh në pjesën e energjisë. Kjo erdhi për shkak të reformave. Ne nuk do të kishim mundësi të investonim në energji elektrike nëse nuk do kryheshin ato reforma që përmendi dhe Ministri i Financave”, u shpreh Gjiknuri.

Sipas tij, investime kanë ndodhur edhe në ujësjellës-kanalizime ku Fieri ka marrë një nga investimet më të mëdha ndërsa pritet të nisë dhe faza e dytë e projektit.

“Këtu do të bëhet një nënstacion i ri elektrik shumë i rëndësishëm. Fieri do të jetë një nyje e rëndësishme energjetike sidomos me linjën që do bëhet Maqedoni-Elbasan-Fier. Pra do ketë një nënstacion dhe do kthehet në qendër të rëndësishme energjetike. Së bashku me kryetarin e Bashkisë po punojmë edhe për disa projekte të tjera sociale me TAP dhe njëkohësisht do nisë edhe një investim i ri të stacionit të kompresorëve të gazit nga ku mund të përfitojë Fieri në punësim por edhe në gaz më vonë”, tha Gjiknuri.

Ministri premtoi edhe zhvendosjen e trafikut të boteve të naftës nga aksi rrugor Fier-Vlorë përmes kalimit në transportin hekurudhor.

“Shumë shpejt do të hyjë në funksionim edhe segmenti hekurudhor Fier-Vlorë për të shmangur plotësisht autobotet nga rrugët. Pra, brenda këtiJ viti në momentin që përfundon gjithë investimi që po bëhet në hekurudhë, nuk do të shihni më autobote nafte që shkojnë në drejtim të Vlorës dhe që kthehen në një shqetësim për qytetarët. Gjithë trafiku i boteve do të jetë nëpërmjet hekurudhës”, nënvizoi Gjiknuri.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë ju referua përfitimeve direkte që kanë sot qytetarët në sajë të reformave ekonomike të ndërmarra nga qeveria.

“Kur dëgjoni fjalën taksa progresive, secili nga ju asnjëherë nuk e mendon që nëpërmjet një lëvizjeje si ajo qytetarëve iu kthyen 540 milionë dollar mbrapsht në shtëpitë e tyre. Ka sot, 630 mijë të punësuar që kanë të njëjtin efekt për shkak të taksës progresive . Ishte TVSH-ja 10 për qind dhe çdo i sëmurë, per një aspirinë, paguante gjithmonë 10 për qind më shumë. Po e di sa ishte ai 10 %? 15 milionë dollar në vit. Në katër vite 60 milionë dollar. Atyre njerëzve që kanë hall dhe që detyrohen të blejnë ilaçe, 60 milionë ua merrte Saliu me Lulin dhe i harxhonte për rrush e kumbulla. Sot, ne e hoqëm taksën e sëmundjes”, sqaroi Ahmetaj. Ministri kujtoi se ishin 600 mijë qytetarë të pasiguruar të cilët nga 1 Janari i vitit 2017 u futën të gjithë në skemën e rimbursimit të ilaçeve.

“Çfarë bëmë me taksën e biznesit të vogël? Paguhej 1.5 përqindëshi, paguhej dhe tatimi i thjeshtësuar për fitimin mbi xhiron. Çfarë bëmë ne? I hoqëm. I bëmë zero. Çfarë po bëjmë tani, kalon javën tjetër në qeveri? Nga 8 milionë deri në 14 milionë, e ngremë tavanin e deklarimit për tatim fitimin 5 %, dhe fusim dhe gati 10 mijë biznese të tjera. Në numërim të bizneseve, janë rreth 95 mijë biznese që e kanë taksën nga 0 deri në 5 %, që do të thotë në llogari të të gjitha bizneseve aktive, 91 % e të gjitha bizneseve në Shqipëri e kanë taksën nga 0 në 5”, u shpreh Ahmetaj. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat