Kini kujdes në plazhet shqiptare! Nëse përdorni mjete lundruese “matuni” mirë

Shqipëria

Kini kujdes në plazhet shqiptare! Nëse përdorni mjete lundruese “matuni” mirë

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 11:04
Foto ilustrim

Për këdo qytetar që këtë sezon veror do ta kalojë në brigjet dhe plazhet shqiptare, është e vendit që të sigurohen mirë përpara se të shpenzojnë para për të bërë xhiro me mjete lundruese në det.

Policia ka nisur që këtë muaj aksionin për të vënë në dukje zbatimin e rregullave për mjetet lundruese në plazhet shqiptare. Deri më tani janë vënë dhjetëra gjoba si dhe janë sekuestruar 17 mjete motorike lundruese.

“Në kuadër të masave të marra nga ana e Policisë së Shtetit për rritjen e sigurisë së pushuesve gjatë sezonit turistik Veror 2018, gjatë muajit Qershor janë bllokuar dhe ndëshkuar me masa administrative nga Policia Kufitare nga Shëngjini deri në Sarandë 17 mjete lundruese, nga të cilat, 1 gomone dhe 16 motorë uji, pasi kanë rezultuar pa dokumentacion përkatës.”- njofton policia.

Një sërë njësish të forcave të policisë kanë nisur aksionin i cili do të vijojë gjatë këtij sezoni turistik edhe në ditët e muajt në vijim.

“Shërbimet e Policisë Kufitare, të Delta Forcë, FNSH, të Policisë Rrugore, Shqiponjat dhe Patrullat e Përgjithshme kanë nisur shërbimin në të gjithë vijën bregdetare për parandalimin e ngjarjeve kriminale si dhe për t'ju ardhur në ndihmë pushuesve në rast nevoje.

Shërbimet e Policisë janë të alternuara nga toka dhe nga deti, ku mjetet lundruese të Delta Force dhe Policisë Kufitare kontrollojnë mjetet lundruese si dhe motorët e ujit për dokumentacionin përkatës që duhet të kenë për të dalë në det.

Ndërkohë përgjatë vijës bregdetare nga toka, punonjës policie me biçikleta patrullojnë në zonat ku pushuesit kanë filluar plazhin.

Policia Rrugore e mbështetur nga Shqiponjat dhe Patrullat e Përgjithshme, por edhe nga FNSH apo Delta Force, janë të shtrira në të gjitha akset në shërbim të pandërprerë me qëllim krijimin e lehtësive në qarkullimin e mjeteve.”-përfundon njoftimin e saj policia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat