"Hapja e negociatave me BE do të thoshte legjitimim i narko-shtetit, Rama duhet ndëshkuar"

Shqipëria

"Hapja e negociatave me BE do të thoshte legjitimim i narko-shtetit, Rama duhet ndëshkuar"

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 18:12
Analisti Fatos Lubonja

Analisti Fatos Lubonja flet në lidhje me mundësinë e hapjes së negociatave të BE me Shqipërinë, debatin për prishjen e Teatrit Kombëtar, apo kërkesën për shpallje “Qytetar Nderi” të Hasit të Gafur Mazrekut.

Sipas Lubonjës, hapja e negociatave nga BE do të thoshte tolerim për narko-shtetin që ka krijuar Edi Rama.  Ai shprehet se kreu i qeverisë ka nevojë për ndëshkim dhe jo për legjitimim.

“Shkrimi që kam bërë unë është që Rama ka nevojë për ultimatume jo për legjitimim. Rama i është referuar të huajve sa herë janë bërë akuza ndaj qeverisjes së tij. Hapja e negociatave nuk sjell asnjë të mirë, se eliminon kritikat. Për çdo akuzë që i është bërë arma e fortë e Ramës ka qenë përfshirja e të huajve.

Por vendi është në situatë dramatike, edhe në aspektin e një autoritarizmi në rritje, i jo vetëm një personi, por i një grupi kriminal ku veprojnë kudo. Mbështetja e kësaj qeverie do të thotë të jesh anti-shqiptar. Mendoj se për shkak se ne jemi kaq të dobët brenda e këta janë kaq arrogantë nuk do të ishte mirë që kjo arrogancë të legjitimohej. Këtu është çështja e një ekonomie kriminale që i ka dalë për zot Edi Rama, nëse kriminelët na hyjnë në parlament e ekonomi s’do vijë momenti që ne të bëhemi më të fortë, se kanë një njeri që i ka futur brenda institucioneve. Është një sistem gjithnjë e më arrogant e i rrezikshëm.

Unë mendoj që Europa ka luajtur një rol dhe pikërisht se ka luajtur këtë rol dhe se shqiptarët ende vazhdojnë të besojnë tek kjo aspiratë, një ultimatum për Edi Ramën do të ishte ndihmës për shumë forca politike, edhe për ne që na quan kazan. Për ta shtrënguar edhe brenda partisë së tij se dhe aty është problem.

Duhet patjetër të dalim nga vartësia e të huajve, por mos të përdoren ata, duhet të informohen nga një disinformim i vazhdueshëm që bën Rama e Veliaj. Faji nuk është i të huajve por i gjithë intelektualëve tanë që nuk ngrenë zërin,” u shpreh Lubonja.
Për sa i përket Teatrit Kombëtar, Lubonja tha se “këtu bëhet fjalë për grabitje të pronës publike”

“Ç’a janë këta specialistë që kërkojnë prishjen e teatrit, këta janë ata që e kanë kthyer Tiranën pa asnjë shesh, po ngrenë vetëm pallate. Vetë jetojnë në Rolling Hills, Tiranën e përdorin si gurore. Këta janë vandalë, janë shkatërrimtarë të trashigimisë kulturore e historike. Duhet denoncuar me forcë ky vandalizëm,” tha Lubonja në "News 24".

Për Lubonjën, Gafur Mazreku nuk meriton të shpallet Qytetar Nderi pasi nuk është se ka bërë gjë për Kukësin.

“Nuk mendoj se është një njeri që meriton të shpallet kështu, se nuk e di se çfarë ka bërë për Kukësin ai. Kështu nderesh bëhen në Shqipëri, është qesharake, s’besoj se ka lidhje me urdhër nga lart. Vendimi i Ramës më duket i arsyeshëm”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat