Menaxhimi i kufijve, Xhafaj në Bruksel: Secili nga vendet në Ballkan të mbajë përgjegjësi

Shqipëria

Menaxhimi i kufijve, Xhafaj në Bruksel: Secili nga vendet në Ballkan të mbajë përgjegjësi

Më: 19 qershor 2018 Në ora: 19:40
Fatmir Xhafaj, gjatë takimit të KE-së me Ministrat e Brendshëm të Ballkanit Perëndimor

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, gjatë takimit të KE-së me Ministrat e Brendshëm të Ballkanit Perëndimor, u shpreh se përgjigja e vendeve të rajonit duhet të jetë e njëzëshme sa i përket menaxhimit të kufijve, ku secili nga vendet të mbajë përgjegjësitë që i takon, për përballimin e sfidave të përbashkëta, pasi çdo lëshim i një vendi do të kthehet në barrë për tjetrin.

“Ne i njohim përgjegjësitë tona edhe në këtë rast, ashtu sikundër kemi vepruar dhe jemi angazhuar me shumë përgjegjësi në sfida të mëdha, si ato për çështjet e azil kërkimit, luftës ndaj terrorizmit dhe krimit të organizuar e në një sërë fushash të tjera me interes të përbashkët me vendet anëtare të BE-së”, u shpreh z.Xhafaj.

Në këtë kontekst, vendet e rajonit u angazhuan gjithashtu të vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe në adresimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj, duke parandaluar ekstremizmin dhe radikalizmin e dhunshëm, si dhe të rrisin përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të armëve të zjarrit.

Takimi dëshmoi edhe njëherë gatishmërinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, për të thelluar më tej bashkëpunimin dhe ndërveprimin mes tyre për të adresuar sfidat e përbashkëta.

Takimi u zhvillua gjithashtu edhe në kontekstin e përgatitjes së Ministerialit të ardhshëm, që do të zhvillohet në Tiranë më 4 dhe 5 tetor, me pjesëmarrjen e Ministrave të Brendshëm, mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat