Vendimi i qeverisë/ Ulen taksat, ja bizneset që përfitojnë

Shqipëria

Vendimi i qeverisë/ Ulen taksat, ja bizneset që përfitojnë

Më: 21 qershor 2018 Në ora: 07:39
Ilustrim

Pas një prezantimi prej disa javësh nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe nga vetë kryeministri Edi Rama, dje në mbledhjen e radhës është miratuar paketa prej disa projektligjesh nga ana e Këshillit të Ministrave, që parashikon lehtësime dhe incentiva fiskale për biznesin e vogël dhe disa sektorë, që gjykohen me përparësi në ekonominë shqiptare aktualisht.

Biznesi i vogël
Pas një konfrontimi, ku ndërhyri edhe opozita politike, midis biznesit të vogël dhe qeverisë Rama në pjesën e parë të këtij viti, Ekzekutivi ka vendosur një lehtësim të ndjeshëm në fushën e pagesës së tatimit mbi fitimin e ndërmarrjeve. Pa hequr dorë nga vendimi, tashmë në formë ligjore, që të vegjlit të përfshihen në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), qeveria, nga ana tjetër, ka rritur ndjeshëm pragun e taksimit me 15 për qind të tatim fitimit, i cili deri tani ka qenë 8 milionë lekë xhiro vjetore.

Sipas draftit, që do të paraqitet për miratim në Kuvend, pragu i ri do të jetë 14 milionë lekë të reja xhiro. Kjo përbën një rritje prej 75 përqindësh, por e rëndësishme është të kuptohet se 28 për qind e ndërmarrjeve të vogla, që aktualisht paguajnë 15% tatim mbi fitimet e tyre të deklaruara, do të paguajnë 5 për qind, ose tri herë më pak.

Sipas llogaritjeve të Financave, nga hyrja në fuqi e këtij projektligji, që parashikohet 1 janari i vitit të ardhshëm, 56 e totalit të bizneseve do të paguajnë zero tatim fitimi, pasi janë nën nivelin e 2 milionë lekëve xhiro, 28 për qind e totalit do të paguajë 5% tatim fitimi dhe vetëm 16 për qind e ndërmarrjeve të mbetura – të konsideruara si ndërmarrje të mëdha – do të taksohen me 15% mbi fitimet e deklaruara, që është edhe norma më e lartë e parashikuar nga ligji aktual.

Kjo masë përputhet me logjikën e diferencimit progresiv të barrës së taksave, e cila, sipas këndvështrimit qeveritar, duhet të rëndojë më shumë mbi ata që fitojnë më shumë, individë apo biznese.

Paketa fiskale pritet t’i nënshtrohet një procesi konsultimi me biznesin. Por, vlen të theksohet se përjashtimet fiskale që qeveria ka bërë për disa sektorë, bien në disa raste në kundërshtim me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në raportin e FMN-së për Shqipërisë, publikuar pak kohë më parë, mbizotëronte këshilla se qeveria nuk duhet të bënte përjashtime fiskale, përkundrazi, të rriste nivelin e taksave në disa sektorë, si garanci për buxhetin dhe financat publike në tërësi. Por Ekzekutivi mendon që lehtësimi fiskal, në të kundërt, do të sjellë më shumë xhiro, më shumë fitim dhe, rrjedhimisht, më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat