Komisionerja në KE porosi Gjonajt: Zbatim më të shpejt Reformës në Drejtësi

Shqipëria

Komisionerja në KE porosi Gjonajt: Zbatim më të shpejt Reformës në Drejtësi

Më: 21 qershor 2018 Në ora: 09:01
Ministrja Etilda Gjonaj gjatë takimit në Bruksel

Revolucionare dhe shumë të guximshme, e ka konsideruar Reformën në Drejtësi që ka ndërmarrë Qeveria Shqiptare, komisionerja për Drejtësinë, Konsumatorin dhe Barazinë Gjinore në Komisionin Europian, Vera Jourova.

Gjatë një takimi që ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, zhvilloi në Bruksel me Komisioneren Vera Jourova është diskutuar gjerësisht lidhur me Reformën në Drejtësi, ecurinë dhe arritjet e deritanishme në zbatimin e saj në praktikë.

Komisionerja Jourova i konsideroi përpjekjet për të reformuar sistemin e drejtësisë si mbresëlënëse dhe shprehu bindjen që Reforma në Drejtësi do të mbetet një ngjarje historike në zhvillimin e Shqipërisë. Ajo e siguroi Ministren Gjonaj për mbështetjen e Komisionit Europian në zbatimin e Reformës, si dhe e inkurajoi atë për të ecur me ritme sa më të shpejta në këtë drejtim.

Ministrja Gjonaj në përgjigje të interesimit të Komisioneres, foli gjerësisht për mënyrën se si institucionet e reja të drejtësisë do të jenë të pavarura nga ndikimi i politikës, kjo si rezultat i mekanizmave të ngritura, që garantojnë pavarësinë e organeve të reja.

Ministrja Gjonaj shprehu kënaqësinë që do të mirëpresë Komisioneren Jurova, në takimin ministrave të Drejtësisë dhe të Brendshëm të vendeve të BE-së dhe vendeve të rajonit në datat 4-5 tetor të këtij viti, i cili këtë herë do të mbahet në Tiranë. Kjo si shprehje e vlerësimit të progresit të arritur nga Shqipëria deri tani dhe rëndësisë që ka forcimi i shtetit të së drejtës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Takimi i ministrave në tetor dhe vizita e Komisioneres Jurova do të shërbejë edhe si një mundësi e mirë, për nënshkrimin të marrëveshjes së bashkëpunimit me EUROJUST, me qëllim forcimin e përpjekjeve të autoriteteve Shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, Ministrja Gjonaj ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e Grupit të Këshillit për Ballkanin Perëndimor (COWEB) ku pati mundësinë t'i njohë me rezultatet më të fundit të Reformës në Drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit.

Pjesë e vizitës dy ditore të Ministres Gjonaj do të jenë dhe takimet me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Christian Danielsson, si dhe një bashkëbisedim me organizatat e shoqërisë civile në Bruksel, organizuar nga Qendra e Politikave Europiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat