Sistemi bankar, BSH synon krijimin e mundësive të reja për pagesat e klientëve

Shqipëria

Sistemi bankar, BSH synon krijimin e mundësive të reja për pagesat e klientëve

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 07:46
Banka e Shqipërisë

Qytetarët shqiptarë do të kenë shërbime më cilësore pagesash si pasojë e angazhimit të Bankës së Shqipërisë në një projekt për dixhitalizimin e sistemit të pagesave. Duke prezantuar këtë nismë, guvernatori i BSH, Gent Sejko, tha dje se zhvillimi i sigurt dhe efikas i sistemeve të pagesave përbën një objektiv shumë të rëndësishëm, jo vetëm në mbështetje të zbatimit të politikës monetare dhe ruajtjes së stabilitetit financiar, por edhe si një mjet i rëndësishëm për një zhvillim ekonomik të formalizuar dhe të qëndrueshëm. Ai tha se synim parësor në këtë drejtim është përdorimi i gjerë i instrumenteve të pagesave në përditshmërinë e qytetarëve. Kjo mënyrë e re zhvillimi kërkon identifikimin dhe plotësimin e nevojave edhe të komponentit më të vogël përbërës të ekonomisë – individit dhe biznesit, shtoi ai.

Tendencat

Shërbimet e pagesave janë sot një nga bizneset në lulëzim në nivel global. Ethet e pagesave kanë përfshirë gjigandë si Google dhe Apple, ndërsa gjithnjë e më shumë aktorë privatë po konkurrojnë sistemin financiar klasik në ofrimin e pagesave përmes kanaleve të zhvilluara teknologjike. Me gjithë zhvillimin e viteve të fundit, Shqipëria ngelet shumë e prapambetur në përdorimin e këtyre shërbimeve. Me qëllim ngushtimin e këtij hendeku dhe modernizimin e sistemeve të pagesave, Banka e Shqipërisë ka përgatitur një strategji afatmesme për këtë qëllim.

Në kushtet e tregut shqiptar, i cili karakterizohet nga një përfshirje dhe edukim financiar i ulët, si dhe shërbime të ofruara me kosto relativisht të larta, synimi i BSH do të jetë nxitja e sistemit bankar në ofrimin për qytetarët të shërbimeve lehtësisht të aksesueshme e me kosto efektive, duke mbështetur kështu objektivin e një përfshirjeje më të gjerë financiare. Nevoja për ndërhyrje në këtë drejtim bëhet më e rëndësishme dhe sfiduese, sidomos teksa përjetojmë zhvillime teknologjike të shpejta e gjithëpërfshirëse. Në kushtet kur shumica e aspekteve të jetës së përditshme po dixhitalizohen dhe automatizohen, modernizimi i sistemeve të pagesave bëhet edhe më i rëndësishëm.

Teknologjia

Risia që mendon të futë Banka e Shqipërisë ka të bëjë me atë që, klientët të mund të kryejnë pagesa nga llogaria e tyre bankare edhe përmes institucioneve të tjera financiare. Kjo do të bëjë që kompania e licensuar për shërbime pagesash të mund ofrojë shërbime financiare, mbështetur në infrastrukturën dhe të dhënat e bankave.

Bazuar në studimet dhe analizat e kryera nga Banka e Shqipërisë me mbështetjen e Bankës Botërore, evidentohet qartazi se promovimi i dixhitalizimit dhe inovacionit në tregun e pagesave ndikon ndjeshëm në uljen e kostove të mbartura nga këto instrumente, duke krijuar shërbime lehtësisht të aksesueshme dhe të përballueshme nga të gjithë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat