"I riu nuk vdiq nga dhuna në komisariat"... por sërish policët janë përgjegjës!

Shqipëria

"I riu nuk vdiq nga dhuna në komisariat"... por sërish policët janë përgjegjës!

Më: 23 qershor 2018 Në ora: 18:52
Enea Ftojt

Një ditë pasi ekspertiza përcaktoi se shkaku i vdekjes së e Enea Ftojt nuk kishte ardhur si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia, Prokuroria e Korçës duket se nuk ka lënë jashtë përgjegjësisë policinë.

Pavarësisht se vdekja sipas ekspertizës ka ardhur për shkaqe natyrore, Prokuroria akuzon efektivët e Komisariatit të Korçës për mosdhënie ndihme ndaj 27-vjeçarit. Burime nga grupi hetimor bënë me dije për "Panorama" se edhe pas konkluzioneve të ekspertizës mjeko-ligjore, hetimet po vijojnë.

Tre efektivë të Policisë do të përballen në përfundim të procesit hetimor me akuzën për mosdhënien e ndihmës shëndetësore ndaj 27- vjeçarit, i cili kishte paraqitur probleme shëndetësore. Sipas të dhënave, edhe pse Ftoj nuk ka vdekur nga dhuna, policia nuk mund të përjashtohet nga përgjegjësia penale për vdekjen e tij. Pjesë e dosjes hetimore, përveç aktit të ekspertimit, janë bërë edhe elemente të tjera, mes të cilave kamerat e sigurisë, regjistrat e kontrollit, por edhe dëshmitë e dhëna nga vetë efektivët e komisariatit.

Tashmë organi i akuzës ka mundur të sigurojë prova që efektivët e policisë nuk i kanë dhënë ndihmë Enea Ftojt, edhe pse ai kishte shfaqur probleme shëndetësore gjatë dy ditëve të qëndrimit në ambientet e komisariatit. Sipas burimeve brenda grupit hetimor, policia ka shkelur rregulloren e trajtimit të të shoqëruarve dhe nuk ka kryer kontrolle periodike në qelinë e 27-vjeçarit, i cili sipas policisë u gjet i pajetë në dhomën e paraburgimit ku po mbahej në pritje për t’u dërguar në gjykatë.

Prokuroria po vlerëson të gjitha provat dhe dëshmitë e grumbulluara dhe pritet të vërë nën akuzë të paktën tre efektivë të Komisariatit të Korçës. Enea Ftoj ndërroi jetë më 17 maj në ambientet e Komisariatit të Korçës, ku ishte shoqëruar pas arrestimit në flagrancë. Ai u kap nga Policia, pasi i kishte vjedhur me dhunë nga qafa varësen e floririt një gruaje, ndërkohë që dyshohej si autor i shumë vjedhjeve të tjera të të njëjtit mekanizëm. Ftoj gjithashtu njihej si përdorues droge.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat