12 muaj diplomaci ‘rraskapitëse’, rrëfehet ministri Bushati

Shqipëria

12 muaj diplomaci ‘rraskapitëse’, rrëfehet ministri Bushati

Më: 7 korrik 2018 Në ora: 17:48
Ditmir Bushati

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i kërkoi dje Lulzim Bashës dhe Kryeministrit Rama t’i qëndrojnë marrëveshjes së majit 2017. I ftuar në forumet UET, nën moderimin e përgjegjëses së Departamentit të Marrëdhënieve Publike dhe Komunikimit, prof. asoc. dr Belina Budini, Bushati foli për negociatat me Greqinë.

Për ministrin e Jashtëm, çështja çame vijon të jetë pjesë e paketës së bisedimeve.

Po të ishit lideri i maxhorancës, a do ta mendonit se do ta kishit më të lehtë me një bashkëqeverisje 2-3 vjeçare me opozitën për t’i kapërcyer një numër problemesh siç kanë bërë shumë vende të Europës në situata të ndryshme politike, për të përballuar problematikat komplekse të integrimit?

Bashkëqeverisja me opozitën është një term kompleks. Në kushtet e Shqipërisë në çdo lloj rrethane duhet të kishte një lloj të bëri opozitë, një opozitë shumë më të fortë. Personalisht, mendoj se do të ishte shumë më e rëndësishme t’i qëndronim linjave kryesore të marrëveshjes së majit 2017 ku pjesë e saj ishte dhe reforma që duhet ndërmarrë përsa i takon shtetbërjes europiane për një administratë që s’duhet të jetë as e majtë dhe as e djathtë. Për të arritur këtë qëllim, mendoj se do t’ia vlente çdo lloj sakrifice politike nga ana e të dyja forcave politike.

Nëse për Shqipërinë, vendimi i Këshillit Europian do të konsiderohej si një përgjigje Po, Shqipëria në qershor të 2019-s është e ulur automatikisht për negociata, apo do të kalojë përmes një procesi rivlerësimi, që, në fakt, do të thotë se përgjigja sot ka qenë Jo?!

Duhet të mësohemi dhe të pranojmë se nuk ka automaticitet në këtë proces. Nuk është se diçka që është dhënë njëherë jepet njëherë e përgjithmonë. Javën e tretë të korrikut ne besojmë se do të fillojmë procesin e screening. Do të ketë një delegacion të nivelit të lartë nga ana e Komisionit Europian për këtë proces. Aty do të kemi mundësi të diskutojmë edhe rrugën njëvjeçare që do të ketë Shqipëria dhe besoj se, pak a shumë, në të njëjtën periudhë do të fillojë screening edhe për Maqedoninë, hapat që do të hidhen dhe se si do të monitorojë Komisioni Europian në emër të vendeve anëtare për detyrat që ato kanë lënë për Shqipërinë. Vendet anëtare kanë lënë disa detyra për Shqipërinë, bazuar në rekomandimin e Komisionit Europian: Duan të sigurohen që procesi i vetingut të mos ketë kthim mbrapsht. Natyrisht që procesi i vetingut ka një listë prioritare, që është rakorduar ndërmjet institucioneve ndërkombëtare që qëndrojnë pas këtij procesi. Bëhet fjalë për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të KLP dhe KLGJ. Natyrisht që Komisioni Europian në harkun kohor të 12 muajve do të verifikojë nëse kjo listë prioritare ka përfunduar. Nëse kjo listë do të konsiderohet e përfunduar, atëherë ushtrimi do të quhet i kryer, nëse do jetë shkuar përtej kësaj liste, do të jetë jashtëzakonisht mirë. Në rast se kjo listë prioritare nuk ka përfunduar, më mirë të mos diskutojmë për këtë opsion. Komisioni Europian ka analizuar në raport qoftë përpjekjet e instancave ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tani, Këshilli kërkon masa shtesë në këtë drejtim, më shumë punë. Ne do të punojmë me Komisionin Europian se cilat janë masat që duhen për të hedhur këtë hap. Ju garantoj se këto çështje do të jenë përsëri në tryezën e bisedimeve, por do të jenë në një shkallë dhe nivel tjetër nga çfarë është sot. Vendet anëtare i kanë detajuar detyrat tona, ngritjen e Prokurorisë Speciale, ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit etj.. Të gjitha këto janë çështje që do të verifikohen nga Komisioni Europian për vendimmarrjen në vigjilje të nisjes së bisedimeve për anëtarësim. Shumë e rëndësishme në këtë drejtim do të jetë dhe mënyra se si do të reagojë Shqipëria dhe Maqedonia në procesin screening, cila është gatishmëria jonë për të nisur negocimet qoftë për kapitullin 23, qoftë për kapitullin 24.

Çfarë e pengon ministrin e Jashtëm apo Kryeministrin që një herë në javë apo një herë në muaj të shkojë në zyrën e kryetarit të opozitës, sipas axhendës politike, ta informojë me ecurinë e negociatave, kushteve apo kritereve për çështje që nuk kanë të bëjnë me qeverisjen, por me interesin kombëtar siç janë integrimi, apo marrëveshjet e ndryshme me Greqinë. Ka përvoja të vendeve fqinje që e aplikojnë një praktikë të tillë.

Kryeministri dhe ministri i Jashtëm shkojnë për çdo rast për të informuar Presidentin e Republikës. Edhe në Greqi kjo është praktika, Kryeministri nuk shkon në zyrën e kryetarit të opozitës dhe pse zyra e Kryeministrit dhe kryetarit të opozitës në Parlamentin grek janë ballë për ballë në një korridor të veçantë. Si Kryeministri edhe unë e kemi ezauruar disa herë praktikën me Presidentin e Republikës, nuk ka qenë në çdo rast praktika më e mirë e mundshme. E kam thënë dhe publikisht, ka pasur raste kur mund të ishte bërë më mirë qoftë dhe nga ana ime. Jemi në procesin e kolaudimit të institucioneve demokratike dhe gjithmonë ka vend për përmirësime sikundër do të ishte shumë e udhës që Kryeministri me liderin e opozitës të uleshin dhe të diskutonin për çështje të tilla.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, është shprehur për mediat greke se Deti Territorial i Greqisë me marrëveshjen e re me Shqipërinë do të dyfishohet. E konfirmoni një gjë të tillë?

Me Greqinë ne jemi duke negociuar një marrëveshje të re përsa i përket kufizimit të zonave detare, ku ka tri elemente: Kufizim të Detit Territorial, ku të dyja shtetet ushtrojnë sovranitet të plotë në det, në pjesën nën detare dhe atë mbi det. Sikurse do duhet të kufizohen, po me këtë marrëveshje, Zonat Ekskluzive Ekonomike dhe Shelfi Kontinental. Nisur nga autorizimi i dhënë nga Presidenti, ne i jemi përmbajtur parimit që e Drejta Ndërkombëtare duhet të jetë një pikë referimi për arritjen e një marrëveshjeje me Greqinë. Konventa mbi të Drejtën e Detit, i njeh shteteve palë parimin e 12 miljeve. Këtë parim me Italinë e kemi zgjidhur para shumë viteve. Por distanca jonë me Italinë është mbi 50 milje, që do të thotë jo vetëm të dyja palët marrin 12 miljet që ia njeh Konventa, por kanë në mes dhe një det të tërë që kualifikohet si ujëra ndërkombëtare. Me Greqinë, ky parim është vështirësisht i aplikueshëm për shkak të terrenit gjeografik. Vetëm në një pikë të detit të përbashkët, ky parim mund të jetë i aplikueshëm. Ky është një parim që Konventa ia njeh palëve.

A keni bërë ju një shkëmbim të çështjeve me Greqinë, Shqipëria është tërhequr nga çështja çame dhe Greqia është tërhequr nga pretendimet për Vorio-Epirin?

I gjithë procesi i bisedimeve me Greqinë në vështrimin tonë është i ndarë në tri shporta apo kategori. Çështjet që e kanë origjinën te Lufta e Dytë Botërore, duke filluar nga ligji famëkeq i luftës që është ende në fuqi në Greqi. Për të cilin kemi thënë që kur e kemi vendosur në tavolinë këtë çështje, që nuk ndiejmë kërcënim nga ana e Greqisë. Jemi dy vende anëtare në NATO, por nga pikëpamja politike do të kishte efekte të mëdha psikologjike për marrëdhëniet mes vendeve tona, e para kjo dhe e dyta ka efekte ligjore për shtetasit shqiptarë që i është konfiskuar prona mbi bazën e këtij dekreti. Për shtetin shqiptar, pronat e të cilit janë vendosur nën sekuestro mbi bazën e këtij dekreti dhe për shtetasit që i përkasin pakicës kombëtare greke, të cilëve gjithashtu i janë sekuestruar pronat mbi bazën e këtij dekreti. Brenda kësaj shporte ne kemi disa çështje. Kemi ligjin e luftës, kemi çështjen çame, kemi çështjen që ka të bëjë me të rënët e ushtarëve grekë gjatë Luftës Italo-Greke në Shqipëri e kështu me radhë. E para, ka lidhje me kufizimin e zonave detare, e dyta, ka të bëjë me mirëmbajtjen e kufijve ekzistues tokësor me mirëmbajtjen e piramidave dhe menaxhimin e incidenteve kufitare, sepse në të shkuarën ne kemi vënë re që ka pasur shumë incidente në këtë drejtim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat