“Mu duk vetja si në luftë, policia erdhi mbas 10 minutash”, rrëfimi i gazetarit për sherrin në Dhërmi

Shqipëria

“Mu duk vetja si në luftë, policia erdhi mbas 10 minutash”, rrëfimi i gazetarit për sherrin në Dhërmi

Më: 8 korrik 2018 Në ora: 11:42
Dhërmi

Edhe pse policia përmes një deklarate të shkurtër për shtyp u mundua të “fshehë” sherrin e madh të ndodhur në orët e mbrëmjes në një lokal të njohur në Dhërmi, dëshmitë e njerëzve që ishin të pranishëm flasin për një terror të vërtetë.

Policia u shpreh se ka pasur të shtëna me armë zjarri në ajër, nuk ka persona të lënduar dhe se një person është vënë në pranga.

Por përmes një shkrimi në rrjetet sociale spikeri i lajmeve në Top Channel tregon një anë tjetër të medaljes.

Erion Dushi tregon se në lokal ka qenë një tmerr i vërtetë, njerëz që bërtisnin, gjak nga të gjitha anët dhe policia që nuk dukej në asnjë cep të zonës.

Postimi i plotë i gazetarit:

Dy fjalë për “Havanën”

Unë jam nga ata persona që nuk e frekuentoj jugun prej 2012-ës dhe shumë syresh më kritikojnë pse unë e eksportoj jashtë lekun por me lejoni t’ju them se nga ajo që pashë tek ai lokal dje ku ndodheshin edhe figura të tjera publike, prindër me foshnje, një vajzë shtatzënë e shumë të tjerë jam krenar që nuk kam ardhur më parë.

Unë gjendesha një tavolinë larg sherrit që degjeneroi në përdorim arme dhe shihja vetëm njerëz të tmerruar që përpiqeshin të gjenin strehë përfshi dhe mua. Mu duk vetja sikur isha në luftë ku e vetmja gjë që më shkonte në mendje ishte nëse isha plagosur kund teksa prekja trupin për njolla të mundshme gjaku. Mu kujtua filmi “the kingdom” teksa vrapoja rrugicave mes lokaleve dhe tërhiqja pas vetes miken time të shokuar që ende dridhej dhe më kërkonte mos të rendnim pas turmës. Nuk u interesova kush vdiq e kush shpëtoi por gjithë kohën komunikoja me pjesën tjetër të shoqërisë për të mësuar nëse ishin shëndoshë e mirë dhe këshillonim njëri-tjetrin të rrinim fshehur. Lavdi Zotit, të gjithë shpëtuam paq, ndërkohë që në vendngjarje policia mbërriti pas 10 minutash.

Po, unë isha në një fshat turistik shumë të proklamuar për mirë e keq. Isha mes qindra syresh që si unë kërkonin të shijonin pushimet e mes tyre gjendeshin këta çuna mamash të bukura e baballarësh me lekë, që mburren para të tjerëve për sasinë e alkoolit që kanë përpara në tavolinë, për varëset e orat e shtrenjta, për femrat mjerane që u rrinë nga pas si qeni pas kotheres së bukës. Isha në një ambjent ku truprojet që nuk të lenë të hysh i pashoqëruar ishin të parët që u larguan nga vendi i ngjarjes e manaxheri nga ana tjetër nuk po gjente ku të fshihej se në nevojtore kishin hyrë mbi 5 persona për m3. Isha në një vend, ku nuk pashë frymë uniformë policore e më shumë se kurrë sot e kuptoj sa të rrezikuar jemi para këtyre palaçove kokëdhjamosur që janë gati të shkrepin armën nëse guxon qoftë t’i shohësh të dashurën e shpërfytyruar nga make-upi i rënduar.

Po, premtoj që për pushimet e mia do ta injoroj këtë vend të shkuar për dreq nga persona që jetën e kanë gjënë më të lirë e ku rendi e siguria nuk të ofrohen sikurse në vendet e tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat