"Llumi i drejtësisë", Naço i përgjigjet Ballës: S'keni votë për t'i rikthyer KLD-së emërimet

Shqipëria

"Llumi i drejtësisë", Naço i përgjigjet Ballës: S'keni votë për t'i rikthyer KLD-së emërimet

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 12:18
Nasip Naço

Ftesës nga Parlamenti të Taulant Ballës për të votuar dy nene të ligjit që i rikthen Këshillit të Lartë të Drejtësisë të emërojë në sistemin gjyqësor magjistratët e rinj, Nasip Naço i LSI-së, iu përgjigj nga selia e partisë së tij. 

Ai tha grupi i kësaj partie nuk mund të jepte votën për t'i dhënë edhe një herë mundësinë anëtarëve të KLD për të bërë emërime nepotike, ndërsa një pjesë të anëtarëve, ai e konsideroi si "llumin e sistemit të drejtësisë". 

Miratimi i këtyre ligjeve kërkon 84 vota në Parlament dhe PS kishte shpresuar tek votat e LSI-së për të zhbllokuar kështu procesin e emërimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj.

Naco: Në thelb, ndryshimet në dy nene që kërkohen nga dy deputetë të mazhorancës, është fakti që në mungesë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë gjyqësor, është që ne të kthehemi 180 gradë mbrapa që t'i japim edhe një herë mundësinë Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të bërë emërimet e magjistratëve, që duhet të ishin emëruar që në vitin 2016.

Unë personalisht dhe në emër të LSI-së, nuk kam pranuar të votoj nenin 1 që ka të bëjë me nenin 160 të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që t'i japim edhe një herë mundësi KLD-së, të anatemuar nga ana jonë, nga ndërkombëtarët dhe nga vetë mazhoranca, dhe për shkak të këtij Këshilli që ishte bërë barrierë për gjithë sistemin e drejtësisë, që nga emërimet nepotike, që nga çdo propozim të bërë nga ministrat e drejtësisë. 

Kur kam qenë ministër drejtësie, i kam propozuar 44 gjyqtarë për t'u proceduar dhe nga këta 24 për shkarkim, më ka mbështetur në 4 apo 5 raste. E njëjta gjë ndodh edhe me ministren e kësaj mazhorance. Si mundet grupi parlamentar i LSI apo unë si ish-ministër i drejtësisë, tu japim edhe një herë mundësinë një pjesë të këtyre anëtarëve të KLD-së që do t'i quaja llumi i sistemit të drejtësisë.   

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat