Ngrihet alarmi, kujdes temperaturat e larta, ndikojnë në shëndetin mendor

Shqipëria

Ngrihet alarmi, kujdes temperaturat e larta, ndikojnë në shëndetin mendor

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 13:10
Foto ilustrim

Ngrohja ekstreme shpesh diskutohet në aspektin e ndikimit të saj në shëndetin tonë fizik, por rrallëherë diskutohet se si ndikon rritja e temperaturave në shëndetin mendor.

E ftuar në emisionin Rreze Dielli në Report Tv, psikologia e ISHP, Andia Meksi, thekson se temperaturat e larta ndikojnë edhe në shëndetin mendor të individëve, sidomos tek ata që kanë problem mendore. Sipas Meksit në vendin tonë nuk flitet shumë për shëndetin mendor , pasi kjo shihet ende si tabu.

“Nuk është folur për shëndetin mendor. Në përgjithësi nuk para flitet për shëndetin mendor, për shkak të stigmatizimit, pasi shihet ende si tabu.

Është vënë re nga disa studime që janë kryer nëpër botë se i nxehti ndikon në shëndetin mendor të popullatës dhe sidomos tek individët që vuajnë nga çrregullimet e shëndetit mendor.Ajo që vihet re edhe në Shqipëri, është se është rritur numri i personave që kërkojnë ndihmë për trajtim në stinën e verës. Ende është i paqartë se si është efekti i të nxehtit. Sipas një studimi të bërë disa vite më parë është vënë re që nëse një person ekspozojet për 5 ditë në një temperaturë mbi 36 gradë, kjo ka efekte në shëndetin mendor të individit, sidomos tek personat që vuajnë nga çrregullimet mendore”, tha Andia Meksi, Psiokologe.

Psikologia u shpreh gjatë emisionit se janë të moshuarit dhe personat që kryejnë aktivitetin e tyre nën ekspozimin e diellit , më të predispozuarit ndaj efekteve të temperaturave të larta. Simptomat janë të dukshme dhe Meksi këshillon shmangien sa më shumë të temperaturave të larta.

“Simptomat e temperaturave të larta janë të shumta, kemi luhatje të humorit. Individi është më tepër i stresuar, i nervozuar. Mund të ketë gjithashtu edhe vështirësi në përqendrim. Nëse kjo vazhdon për një kohë të gjatë, atëherë pasojat lidhen me cilësinë e gjumit”, u shpreh ajo.

Gjatë bisedës në studio, psikologia Meksi u shpreh gjithashtu se mund të ekzistojë një lidhje mes rritjes së temperaturave dhe rritjes së numrit të vetëvrasjeve, por kjo nuk është vendimtare , apo të jetë arsyeja kryesore.

Duke marrë parasysh rreziqet që nxehtësia ekstreme paraqet për shëndetin tonë fizik dhe emocional, nevoja për të ndërmarrë veprime mbi klimën është edhe më e rëndësishme për shëndetin tonë dhe lumturinë tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat