"Vitin tjetër do të kemi kryetarin e ri të Elbasanit" Sejdini jep sinjale se do të largohet

Shqipëria

"Vitin tjetër do të kemi kryetarin e ri të Elbasanit" Sejdini jep sinjale se do të largohet

Më: 10 korrik 2018 Në ora: 17:36
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, një vit përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2019 jep sinjale moskandidimi në bashkinë që drejton prej 11 vitesh.

Në një intervistë për “TV Skampa” në Elbasan, Sejdini ka deklaruar se pas një viti, Bashkia e Elbasanit do të ketë kryetarin e saj të ri.

Kreu i Bashkisë së Elbasanit ka folur mbi marrëdhëniet e tij me Kryeministrin Rama, duke theksuar se është bashkëpunëtor i afërt i tij. Sejdini ka dhënë edhe një recetë për pasardhësin e tij në krye të bashkisë, por duke kujtuar se çdo kandidat që e aspiron këtë post, duhet fillimisht të rezultojë fitues në sondazhet e brendshme, përcjell panorama.

Keni disa mandate që drejtoni Bashkinë e Elbasanit. Si ndiheni tani që mandati i tretë kërkon edhe një vit që të përfundojë?

U bënë 11 vjet, ose viti i tretë i mandatit të tretë. Sot një vit, besoj, do të kemi kryetarin e ri të Bashkisë së qytetit të Elbasanit.

Kryetar të ri, por mund të jeni sërish ju?

Ajo është punë partie. Por megjithatë, vitet ikin dhe njeriu bën analizën. Mendon çfarë ka bërë dhe çfarë ka ngelur pa u bërë. Kur kam pranuar të kandidoj për kryetar bashkie, disa miq më këshilluan dhe më thanë: Kush do të jetë modeli yt? Sepse detyra e kryetarit të bashkisë është një punë me përgjegjësi të madhe qytetare dhe kombëtare. Të vish i papërgatitur në këtë karrige do të dalësh blof. Atëherë hulumtova dhe kisha në dorë dy libra. Një libër të Sarkozisë, jeta e tij si kryetar bashkie. Dhe një libër tjetër të Rudi Xhulianit për Neë York-un. I lexova të dy ato libra për të gjetur një model. Lind pyetja: Me ata do krahasohesh ti? Jo, por bashkitë në të gjithë botën kanë të njëjtat probleme, pavarësisht numrit të popullsisë dhe qarkullimit të qytetit. Ngeca te Xhuliani, më dukej më pranë tipit dhe temperamentit.

Dhe si e nisët punën e kryetarit?

Zgjedhja ime ishte pak e rëndë. Aksioni im i parë ishte prerja e pishave te Kalaja. Ish-specialisti dhe inxhinieri Jani Maçolli, shumë vite më parë, kishte paraqitur një dokument që thuhej se pishat janë degjeneruar deri në atë lloj pike sa rrezikojnë jetën e qytetarëve. Në atë material thuhej se pishat i mban vetëm muri rrethues dhe ashtu ndodhi kur i hoqëm. Sigurisht që kur i hoqëm, ngjalli reaksion. Problemi për mua nuk ishte te heqja e pishave, por te ruajtja e zonës arkeologjike. Kishim hall se mos dëmtonim ndonjë gjë. Ndaj vendosëm të punojmë natën. E fituam atë betejë. Kam pasur edhe ndihmën e ministrit të asaj kohe, Sokol Olldashi. Ai ishte shumë i apasionuar pas pikturës dhe arkitekturës dhe bëmë një marrëveshje me të që do të vinte ta shikonte Elbasanin kur të vendosej ndriçimi te Kalaja. Kështu ndodhi. Nostalgjia ishte e madhe, por sot nuk flet më njeri për atë nostalgji, por shohin sa shumë turistë vijnë.

Jeni qytetari që keni qeverisur më gjatë Elbasanin. Do doja të dija, cilat janë pengjet dhe çfarë do të donit të bënit në këto muaj që ju kanë ngelur?

Pengje ka shumë. Sepse buxhetet e bashkive dihet që janë shumë të vogla. Në thonjëza e them këtë, se unë kam një fatkeqësi që kam qenë i pari që kam bërë punë dhe bashkitë pasardhëse janë pas meje. Por mbahet mend fundi, jo fillimi. Kam një projekt. Duhen 6 milionë euro që të përfundojë totalisht infrastruktura e qytetit. Pra, kryetari i bashkisë i mandatit të ri të mbjellë vetëm lule. Do ta arrijë? Kjo është pyetja. Dhe ku do t’i gjejë paratë? Jam optimist që do ta arrijë.

Jemi ende 1 vit larg zgjedhjeve vendore. Në qytet lakohen emra të ndryshëm si kandidatë të PS-së dhe pasardhësit tuaj. Cili duhet të jetë profili i kandidatit të ri, nëse ju nuk kandidoni?

Vendi i kryetarit të bashkisë është zgjedhje e partive politike. Tashmë, partitë politike janë bërë zyra. Nuk luajnë më me emra, por bëjnë sondazhe. Si majtas, ashtu edhe djathtas. Kush fiton në sondazhe, ulet në atë karrige. Dëshirat mund të jenë të mëdha, llafet mund të jenë shumë, por janë kot. Bëhen disa sondazhe. Mos të them që sondazhet kanë filluar. Të gjithë partitë nxjerrin forcat e veta që mendojnë ato dhe që kërkon kryetari i partisë që të ketë bashkëpunëtorë. Emrat që lakohen, janë dëshira të atyre që kanë qejf të bëhen.

Por të gjithë emrat që janë lakuar, janë djegur…

Ata djegin vetveten. Luajnë kot. Luajnë blofin. Po nuk doli në sondazh që je fitues dhe konkurrues, nuk ulesh në atë karrige. Nuk të kandidojnë. Harrojeni këtë punë. Do filani apo do fisteku. Ja fusin kot. Dua të kandidoj unë, se kam 1 milion euro, mund të thotë ndonjë. Ik bëj ndonjë punë me ato pare, siç i ke vjedh, ashtu do i ndash.

Keni ju mbështetjen e Kryeministrit dhe Partisë Socialiste?

Unë? Shumë. Unë kam edhe oponencë për çështje të caktuara me qeverinë. Kjo është edhe arsyeja që kam këtë mbështetje. Unë jam i hapur, jam i drejtpërdrejtë. Unë i jam borxhli Partisë Socialiste, pavarësisht nëse e kam justifikuar apo jo. I jam borxhli sepse PS më ka bërë prefekt, më ka kandiduar për deputet dhe për tre mandate më ka kandiduar dhe jam zgjedhur kryetar bashkie. Jam me vulën e asaj partie. Unë, aktualisht, jam bashkëpunëtor i Kryeministrit. Bashkëpunëtor i rregullt dhe i afërt i tij. Dhe do të jem bashkëpunëtor i tij, kjo është dëshira ime, por nuk besoj të mos jetë e tij.

Përse ju në sondazhe jeni përpara PS-së?

Ju thashë edhe më herët. Kush do të më dëgjojë, t’i marrë për recetë, ndërsa kush nuk do t’i pëlqejë, do të zhgënjehet. Kjo është eksperiencë. Qytetari të mat kokën dhe të vendos festën si e ke kokën. Me qytetin dhe qytetarin mos luaj. Po u nise nga ideja që unë kam qejf të bëhem kryetar bashkie se do fitoj 5 lekë, ta harrojë. 22 milionë euro ishte projekti i impiantit të djegies së plehrave. Po ta hedhim në sondazh të gjithë, do të donin ta tenderonin vetë. Unë jo. E lashë ta bëjnë në Tiranë, në ministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat