Investigimi, pse Rama po favorizon kompaninë 'Fusha'?! Zbulohen lidhjet e nëndheshme

Shqipëria

Investigimi, pse Rama po favorizon kompaninë 'Fusha'?! Zbulohen lidhjet e nëndheshme

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 20:35
Edi Rama

Prej disa ditësh, duke u nisur nga skandali i prishjes së Teatrit Kombëtar në qëndër të vëmendjes, të publikut, mediave dhe opozitës është vënë kompania që do ta kryej këtë akt, Fusha.

Sipas versionit që ka servirur kryeministri ka qenë kjo firmë ndërtimi që ka bërë një ofertë të pakërkuar për të ndërtuar një teatër të ri, duke marrë si kompensim ngritjen e disa kullave në truallin pas godinës që do të shembet.

Nisur nga fakti se për të realizuar këtë gjë që u hartua nga qeveria dhe u votua nga parlamenti një ligj special, duke qenë se për këtë aferë që pretendohet se i kapërcen 200 milionë eurot, u anashkalua Bashkia e Tiranës si pronare e truallit (për arsye se mungonin votat e socialistëve) duke qenë se u shmangën një sërë ligjesh si ai për koncesionet apo partneritetin publik – privat, përditë e më shumë po ngrihet një pyetje:

Cila është lidhja e kompanisë Fusha me pushtetin e Rilindjes?

Ka disa pika të denoncuara nga opozita që e bëjnë këtë marrëdhënie tejet të dyshimtë.

E para/ Si ndryshoi qeveria Tarifën e çmimit të tokës

Me një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2012 çmimi i tokës në këtë zonë ishte vendosur të ishte 1,2 milionë lekë për metër katrorë. Në një dokument që Lapsi.al e disponon (http://ëëë.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2013/PDF-2013/42-2013.pdf) qeveria e Sali berishës kishte miratuar këtë tarifë për vlerën e tokës përreth teatrit. Ai ndejti edhe për disa vjet i tillë nën qeverisjen e Ramës. Por në 2016 kur me sa duket planet e tjetërsimit të pronës kishin filluar të thureshin, ai u përgjysmua.

Ky dokument që e gjeni këtu (http://ëëë.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2016/PDF-2016/14-2016.pdf )tregon se çmimi u bë 669 mijë lekë për metër katrorë.

Po pse e gjithë kjo ulje drastike?

Dyshimet janë se një gjë e tillë u vendos për të favorizuar kompaninë Fusha në raport me pronarët e tjerë të tokës. Dihet ku sipërfaqja në të cilën është planifikuar ngritja e teatrit të rid he kullave mbas tij përbëhet nga 5500 metra truall i teatrit, nga 2100 metra tokë pronë publike e bashkisë dhe diferencën e kanë 9 pronarë të tjerë privatë plus firmën Fusha. Dyshohet se përgjysmimi i çmimit nga qeveria, është bërë që ti lejojë kompanisë ti bleje tokën të tjerëve me çmim më të lirë, nën presionin se ajo tokë mund të shtetëzohet dhe ata kompensohen me gjysmën e vlerës së mëparshme.

E dyta kompania Fusha ka qenë e preferuara e Rilindjes në këto vite

Jo vetëm se ka marrë punimet e sheshit Skënderbej dhe koncesionin e hidocentralit të Kalivaçit, por sipas opozitës ajo ka përfituar plot 78.3 milionë euro para publike.

Po të shikosh tabelën e gjata ku bien në sy paratë e fituara në negocime pa shpalleje, ose të atyre që janë bërë me shpalleje por me një konkurent të vetëm në garë, të dhënat janë të frikshme. Natyrisht pjesa e luanit të puneve është më bashkinë e Tiranës. Plot 13 procedra me negocim dhe pa shpallje. Por edhe ato gara që janë bërë me shpallje, në to është paraqitur plot 12 herë një operator i vetëm, pra praktikisht pa garë.

Ajo që bie në sy gjithashtu është se bashkisë Fusha i merr përsipër çdo punë, parkingjet, pastrimin, vendosjen e drurëve dekorativë etj.

Mbrapa nuk mbetet edhe në shkallë vendi. Fusha ka marrë përsipër rikonstruktimin e bulevardit të Vlorës, sheshin para portit në Durrës, restaurimin e ministrisë së Brendshme, pyllëzimin e kodrës së Currilave, ndërtimin e shëtitores së Himarës, ndërtime shkollash, rehabilitime universitetesh e pa fund punë publike.

Në total në të gjithë vendin nga 127 prokurime gjithsej, 41 prej tyre i ka fituar me negocim pa shpallje ndërsa në 86 ku ka pasur garë të shpallur në 36 ka qenë konkurenti i vetëm dhe në 18 është shpallu fituese duke pasur oferten më të lartë.

Vetëm pasi shikon këto tabela dhe këto shifra, mund t’i bësh pyetjen vetes: a mund ta ketë këtë fat një biznes tjetër në Shqipëri? Dhe pasi ke marrë përgjigje për të mund të ngresh një tjetër dilemë retorike: a arrihen të gjitha këto pa pasur nga pas shtetin?/Lapsi.al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat