Raporti alarmues italian, gazetari tregon elementin e “veçantë” të bandave shqiptare - Bota Sot
Raporti alarmues italian, gazetari tregon elementin e “veçantë” të bandave shqiptare

Shqipëria

Raporti alarmues italian, gazetari tregon elementin e “veçantë” të bandave shqiptare

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 23:45
Artan Hoxha

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka komentuar raportin e Drejtorisë së Antidrogës Italiane, ku ndër të tjera thuhej se gjatë vitit që lamë pas mbi 90 ton drogë kanë ardhur nga Shqipëria drejt brigjeve italiane.

I ftuar në studion e Oraneës, Artan Hoxha deklaroi se e gjithë kjo sasi droge tregon për një klimë alarmante, pasi sipas tij grupet kriminale shqiptare janë kthyer në njerëz “besnikë” të mafias italiane, e cila i shfrytëzon për sjelljen e sasive të mëdha të drogës në Itali dhe vende të tjera të BE-së.

Gazetari shprehet se bandat shqiptare ende nuk janë në stadin e organizatave mafioze, siç janë “Cosa Nostra” apo “Ndragheta” në Itali, por ka shtuar se nëse vijohet me këto ritme, shumë shpejt edhe Shqipëria do të ketë grupet e saj mafioze.

Hoxha thekson se raporti i publikuar nga Italia duhet të jetë një këmbanë alarmi për shtetin shqiptar.

Hoxha: Shqiptarët zakonisht bashkëpunojmë me organizata pulieze ose siçiliane për shkak të bashkëpunimit me ta duke i furnizuar me kanabis. Marrin prej tyre leje për territorin për të trafikuar narkotikë të fortë. Çojmë zakonisht heroinën dhe marrim nga vendet latine kokainën. Raporti thjesht konfirmon stadin që ka arritur kriminaliteti shqiptar dhe po dëshmon cili është armiku i vërtetë, me të cilën duhet të përballen agjencitë tona të zbatimit të ligjit.

Nëse jemi me këmbë në tokë dhe shikojmë gjithë atë infrastrukturë të aktivizuar, super skafe, shikojmë aksione policore nga tre shtete, Italia, Shqipëria, Mali i Zi dhe nuk arrijmë dot t'i kapim, flas për gomone që identifikohen, po transporti me anije dhe kamionë?! Gjëja që duhet të na shqetësojë është fakti që kemi të bëjmë me organizata të shtrirë në disa vende, që janë fuqizuar së tepërmi, dhe thjesht befasohemi kur kapen sasi të mëdha kokaine brenda Shqipërisë, sasi të mëdha parash që vijnë nga vendet e BE-së që janë para sigurisht të siguruara nga grupet tona kriminale që veprojnë atje.

Edhe evropianët janë bërë më të vëmendshme ndaj grupeve shqiptare. Grupet shqiptare ende nuk kanë strukturë tipike mafioze. Avantazhi i grupeve shqiptare është se nuk kanë shtab. Janë të vogla dhe operative. Në Shqipëri nuk kemi ende një organizatë siç është Ndrageta.

-A jemi larg?

Hoxha: Nuk jemi larg. Jemi në atë rrugë. Jemi duke bashkëpunuar me ta. Ka pasur shumë raste që jemi ekspozuar. Rasti Habilaj furnizonte organizata mafioze siçiliane. Duhet të kesh pa tjetër lejen e     Kozanostrës. Nëse ti zbarkon lehtësisht në Pulia, ti nuk mund të operosh pa lejen e Ndragetës. Grupet tona kanë lidhje të forta dhe të besueshme. Kanë siguruar besnikërinë se janë të aftë të kryejnë operacione të tilla të mëdha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test