“A kalohet muaji me 5 mijë lekë”, mjerim shqiptar!

Shqipëria

“A kalohet muaji me 5 mijë lekë”, mjerim shqiptar!

Më: 13 korrik 2018 Në ora: 09:54
Ilustrim

A do ta kaloj dot muajin me vetëm pesëmijë lekë të vjetra? Kjo është pyetja dramatike që nuk po e kapërdin dot babai i tre fëmijëve në Memaliaj.

Nxjerrja nga skema e ndihmës ekonomike e rrënoi edhe më shumë familjen Demiraj me 6 anëtarë që ka të ardhura vetëm kempin e vajzës së madhe dhe pensionin e gjyshes së shtëpisë. 

Ata jetojnë në një shtëpi-kasolle, me ca gjëra elementare të falura nga të tjerët. Frigoriferi është për zbukurim, brenda nuk ka asgjë.

Duart e zanatçiut i kërkojnë punë të mbajë shtëpinë gjysmë të rrënuar dhe të ushqejë fëmijët por 56-vjeçari Demiraj thotë se trokitjet derë më derë kanë qenë të kota.

“Ndihmën ekonomike ma kanë hequr. Nuk e di arsyen. Nënën e kam të sëmurë, çupën e kam të sëmurë, fëmijët janë për t’u rritur. Ndonjë linjë pune nuk ka. Ku do punoj, kujt do t’i kërkoj ndihmë, t’i shtrij dorën, aman o më ndihmo. Zanatçi jam, ça të bëj marangoz i mërdhirë, jo marangoz por marangoz i mirë, por i mërdhirë në këtë qytet të mërdhirë. Asnjë lloj fasoni, do ta ndërroj destinacionin e punës sime, do vete të punoj edhe në lopatë. Nuk as lopatë”, thotë me lotët që i kanë mbushur sytë kryefamiljari.

Nga shtrati ku dergjet nga sëmundjet e moshës, më e vjetra e familjes kërkon pakëz shpresë për nipërit dhe mbesat.

“Një pension i imi është. Ça do bëj. Kush nuk ka ardhur tek ne, dorë s’ka vënë asnjë. Përse të mos vënë dorë, edhe kriminelë të ishim. Edhe në kohën e Enverit nuk rronin kështu siç rrojmë. Gozën e kam të sëmurë të madhen, me probleme. Është me kemp, ilaçet nuk ia morëm kësaj radhe, me çfarë do ia merrnim”, thotë e moshuara nga shtrati i kasolles ku jetojnë.

Për shumë familje në Memaliaj, qyteti me numrin më të lartë të të papunëve në qarkun e Gjirokastrës, ndihma ekonomike është e vetmja mundësi mbijetese. Mbi 25% e familjeve kanë qenë pjesë e skemës së ndihmë ekonomike por aktualisht vetëm 18 e përfitojnë nga 161 që numëroheshin një vit më parë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat