Raporti i Antidrogës italiane, reagon Ministria e Brendshme

Shqipëria

Raporti i Antidrogës italiane, reagon Ministria e Brendshme

Më: 13 korrik 2018 Në ora: 13:33
Ministria e Brendshme

Me anë të një deklarate, Ministria e Brendshme ka reaguar mbi raportin e Antidrogës italiane për vitin 2017, duke i vlerësuar si spekulime apo keqinterpretime, deklaratat e opozitës.

Në deklaratë thuhet se Shqipëria nuk është më në listën e vendeve që kultivojnë kanabis, e konfirmuar nga raporti i monitorimit ajror të Guardia di Finanza-s italiane, në fundvitin e kaluar.

“Në lidhje me deklaratat, spekulimet apo keqinterpretimet e gjetjeve të raportit vjetor të Drejtorisë Qendrore të Shërbimi Antidrogë Italian, Ministria e Brendshme gjen me vend të sqarojë: Shqipëria nuk është më në listën e vendeve që kultivojnë kanabis, e konfirmuar nga raporti i monitorimit ajror të Guardia di Finanza-s italiane, në fundvitin e kaluar. Kjo është një betejë e fituar në vitin 2017 dhe po konsolidohet në vitin në vazhdim kur jemi në zbatim të protokollit operativ për fluturimet ajrore duke monitoruar territorin me policinë italiane dhe asistencen e BE-së.

Siç është pranuar, 2016 ishte një vit problematik për shumë arsye, që janë bërë pjesë e analizës së punës së Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit dhe nuk rezultoi efikas në parandalimin e kultivimit të kanabisit. Por gjithsesi nuk mund të krahasohet me përmasat shqetësuese të fenomenit përpara 2013, e evidentuar në raportet GdF. Kjo solli një sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike të gatshme për treg, në vitin pasardhës.

Në vijim të një analize të thellë dhe të kujdesshme, Qeveria miratoi Planin Kombëtar Antikanabis 2017-2020, me përfshirjen e gjithë institucioneve dhe asistencë ndërkombëtare. Policia e Shtetit ka rritur bashkëpunimin me partnerët, kryesisht me Italinë në operacione të përbashkëta për të identifikuar dhe goditur rastet e trafikimit të narkotikëve”, thotë në deklaratë.

Më tej, në deklaratë i bëhet një analizë raportit të fundit, ku thuhet se shifra prej rreth 90 ton kanabis evidentohet si e sekuestruar përgjatë gjithë 2017 në gjithë territorin kombëtar italian, dhe jo si sasi e trafikuar nga Shqipëria.

“Sipas vetë Raportit, një rol domethënës luan edhe kultivimi i brendshëm në Itali, sidomos në rajonet e jugut. Sipas Raportit (faqja 36), sasia e kanabisit e kapur në tentativë për trafikim nga Shqipëria është rreth 15 ton: “Në lidhje me vendet e paramenduara të prejardhjes së marijuanës së përcjellë nëpërmjet detit, sasitë më të mëdha vinin nga Shqipëria, i cili konfirmohet të jetë vendi i origjinës për pjesën më të madhe të sasive të kapura, prej 15.805,42 kg”.

Ndërkohë, theksohet se këto sasi të kapura, janë fryt edhe i shkëmbimit të informacionit dhe operacioneve të përbashkëta mes Policisë italiane dhe Policisë së Shtetit, ku përgjatë vitit 2017 u realizuan 14 operacione të tilla.

“Në raport theksohet qartë se sasitë më të mëdha të kanabisit u tentuan të trafikoheshin nga Shqipëria, por edhe nga Greqia (faqja 23) Gjithashtu, evidentohet se kanabis në 2016 është kultivuar jo vetëm në Shqipëri por edhe disa vende të tjera të Ballkanit (faqja 197)”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat