"Brenda vitit do paguhen pagesat e prapambetura për aksidentet"

Shqipëria

"Brenda vitit do paguhen pagesat e prapambetura për aksidentet"

Më: 14 korrik 2018 Në ora: 08:39
Ilustrim

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e ka të qartë se rritja e tregut të sigurimit mund të arrihet vetëm nëse rritet paralelisht edhe besueshmëria e konsumatorit.

Por ky i fundit ka nevojë që, për të dhënë këtë besim, të shohë një treg të stabilizuar.

Është kjo arsyeja pse AMF ka vendosur që në Strategjinë e saj 5-vjeçare të vërë fokusin pikërisht te kjo pikë. Lidhur me pikën më problematike të tregut, që mbetet Fondi i Kompensimit, AMF thekson se brenda këtij viti do të paguhen të gjitha detyrimet e prapambetura të periudhës 2001-2013, të cilat mbajnë peng qindra dëmshpërblime për raste aksidentesh.

AMF, sapo ka prezantuar raportin e vitit 2017 për tregjet nën mbikëqyrje ku, një prej tyre është edhe ai i sigurimeve. Si e vlerësoni ecurinë qe ka ky treg duke e lidhur me dinamikën e zhvillimit (prime kontrata), situata dhe sjellja e kompanive?

Tregu i sigurimeve, si gjatë vitit të kaluar, ashtu edhe referuar shifrave të muajve të parë të këtij viti, ka shënuar një rritje të qëndrueshme. Megjithatë, në masën më të madhe, ai mbetet i dominuar nga sigurimet e detyrueshme, në krahasim me ato vullnetare. Për këtë arsye, referuar edhe praktikave në vendet e tjera europiane, nevojitet të zhvillohen produkte të reja, të cilat synojnë përfshirjen në sigurime të sa më shumë shtresave të popullsisë. Në lidhje me primet e shkruara bruto, për periudhën janar-prill 2018 u shënua një rritje me 3.34%, duke arritur vlerën e 4,894 milionë lekëve. Edhe numri i kontratave të sigurimeve shënoi rritje në këtë periudhë, me mbi 6%, me 356,630 kontrata të lidhura.

Cilat janë sfidat që has ky treg, duke qenë se historikisht është cilësuar si më problematiku nga ata që mbikëqyr AMF?

Viti 2018 është përcaktuar si vit i zhvillimit strategjik për AMF-në dhe njëherësh për tregjet. Së fundmi, Autoriteti prezantoi Strategjinë 5-vjeçare “Për zhvillimin e AMF-së dhe tregjeve nën mbikëqyrje”, e cila u hartua nëpërmjet një procesi të gjerë konsultimesh me aktorët e tregjeve dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Në funksion të kësaj Strategjie po hartohet Plani i Veprimit për 5 vitet e ardhshme. Edhe pse një pjesë e elementeve të theksuar në këtë strategji mund të kenë qenë në axhendën e autoritetit rregullator, edhe më parë, u vërejtën mungesa në zbatimin e tyre.

Kjo, si rrjedhojë e një vullneti të paqëndrueshëm për zbatim dhe tranzicionit problematik me të cilin institucioni u përball dy vitet e fundit. Për rrjedhojë, u bë e nevojshme hartimi i një strategjie të qartë, me theks të fortë në stabilizimin e tregjeve, rritjen e kapaciteteve mbikëqyrëse dhe të besueshmërisë së konsumatorit. Strategjia ka si objektiv kryesor zhvillimin nga tregjet më të brishta financiare në Ballkanin Perëndimor, në tregun më të konsoliduar.

Më konkretisht, referuar pyetjes suaj për tregun e sigurimeve, sfidat kryesore kanë të bëjnë me nxitjen e besueshmërisë së konsumatorit nëpërmjet stabilizimit të tregut, zhvillimin e mëtejshëm të tij, duke qenë se vlerësohet mes tregjeve më pak të zhvilluar në rajon dhe përmirësimit të cilësisë së mbikëqyrjes dhe rregullimit të këtij tregu. AMF synon të nxisë zhvillimin e një tregu sigurimesh të shëndetshëm financiarisht, i cili përmbush detyrimet kundrejt konsumatorëve.

Ndër masat e parashikuara janë forcimi i zbatueshmërisë së produkteve të sigurimeve të detyrueshme, nxitja e një tregu konkurrent dhe eficient, si dhe krijimi i lehtësive për zhvillimin e produkteve të reja dhe shpërndarjen e tyre.
Një nga prioritetet e veprimtarisë së AMF-së për këtë vit lidhet me Fondin e Kompensimit, duke qenë se, brenda 2018, synohet të përfundojë procesi i pagesave të prapambetura, që i përkasin periudhës 2001-2013. Bëhet fjalë për një situatë të mbartur nga viti në vit, së cilës nuk i është dhënë zgjidhje. Por, në fund të vitit të kaluar, për herë të parë, AMF mori një vendim bordi për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare këtij problemi. Autoriteti është shumë i angazhuar dhe po merr të gjitha masat që i lejon ligji për të garantuar pagesën e dëmshpërblimit për të gjithë qytetarët e dëmtuar brenda një kohe sa më të shkurtër.

Çfarë nuk po funksionon në këndvështrimin tuaj, që sot kemi një treg të liberalizuar (një proces që është konsideruar i parakohshëm për momentin kur gjeti zbatim) por çmime të fiksuara nga ana e kompanive (me diferenca të vogla nga njëra-tjetra)? Nga të dhënat që keni për raportin dëme/prime, provigjone, si dhe elemente shtesë, a gëzon ky treg sot shëndet të plotë financiar?

Në lidhje me çmimin e primeve të sigurimit, më lejoni të sqaroj se ka pasur edhe një keqkuptim që mund të ketë lindur për shkak të raportimit mediatik në lidhje me këtë. Autoriteti miraton primin e rrezikut për kontratën e sigurimit të detyrueshëm TPL. Ky prim është orientues për tregun e sigurimit, por nuk mund të jetë çmimi final i policës. Për të folur konkretisht, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, vihet re një ulje me rreth 10% e primit të rrezikut në nivel tregu, e cila më pas reflektohet edhe me çmimet. Ligjërisht tregu është i liberalizuar, por nëse ka fiksim të çmimeve, për këtë duhet të investigojë mbi problematikat e dala edhe Autoriteti i Konkurrencës. Nga inspektimet tona, ne kemi vënë në dijeni Autoritetin e Konkurrencës për problematikat që kërkojnë hetim më të thelluar nga ana e këtij institucioni.

Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes që lidhet me shëndetin financiar të shoqërive të sigurimit, AMF vlerëson se ecuria në nivel tregu e provigjoneve teknike ndër vite shfaq një tendencë në rritje, duke ruajtur dhe strukturën e aktivitetit Jetë dhe Jo-Jetë. Nga të dhënat vihet re gjithashtu tendenca në rritje e treguesit të provigjonit teknik të dëmeve dhe primeve, duke reflektuar përpjekjet e vazhdueshme të Autoritetit në drejtim të përmirësimit të këtij treguesi. Veçanërisht, AMF në vazhdimësi ka dhënë rekomandime për përmirësimin në rritje të treguesit të provigjonit teknik të dëmeve nga sigurimi i detyrueshëm, në përputhje me rritjen e aktivitetit të tregut të sigurimeve.

Ju keni dërguar në Ministrinë e Financave për mendim projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Cilat janë risitë e tij dhe çfarë synon të zgjidhë? Dy fjalë më shumë për bonus-malus?

Ja disa risitë që paraqet ky projektligj:

a) Harmonizon më tej legjislacionin me Direktivat Europiane të fushës së sigurimit motorik, të cilat kanë për qëllim harmonizimin e funksionimit dhe mbikëqyrjes së kësaj veprimtarie.
b) Ndikon në uljen e numrit të drejtuesve të mjeteve të transportit që qarkullojnë, të papajisur me kontratën e sigurimit të detyrueshëm, nëpërmjet shtimit dhe forcimit të masave administrative deri në ndalimin administrativ të mjetit ndaj pronarit që nuk ka lidhur kontratë të sigurimit të detyrueshëm.
c) Ndryshojnë vlerat aktuale të limiteve të përgjegjësisë duke u rritur:
– Për dëme ndaj personit, të shkaktuar nga një ngjarje e vetme, pavarësisht nga numri i personave të dëmtuar: 270.000.000 lekë për autobusë dhe kamionë, përfshirë rimorkiot; 270.000.000 lekë për mjete që transportojnë lëndë të rrezikshme; 135.000.000 lekë për mjete të tjera, përfshirë mjetet e paidentifikuara.
– Për dëme ndaj pronës nga një ngjarje e vetme, pavarësisht nga numri i personave të dëmtuar 27.000.000 lekë.
d) Përmirësohen procedurat dhe afatet për trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim nga ana e shoqërive të sigurimit.
e) Përmirësohet administrimi financiar i kompanive të sigurimit, duke rritur eficencën dhe duke i shërbyer më mirë konsumatorit.
f) Zgjidhen problematikat e deritanishme të Byrosë, nëpërmjet riorganizimit tërësor të Byrosë, duke e ndarë në dy ente dhe konkretisht: Byroja Shqiptare e Sigurimit, e cila do merret me administrimin e Kartonit Jeshil dhe Enti i Fondit të Kompensimit, i cili do të merret me administrimin e Fondit të Kompensimit.
g) Shtohen masat përkatëse administrative që duhet të ndërmerren, në rast se kemi shkelje dhe moszbatim të detyrimeve nga shoqëritë e sigurimit, Byroja dhe Enti. Sipas rekomandimeve të BB-së janë përfshirë sanksione të reja ndaj Byrosë dhe Entit, kur shkelin ligjin; janë shtuar penalitete, si pezullim dhe revokim licence. Gjithashtu janë shtuar masa ndaj drejtuesve të shoqërive në rastin e mospagesës së dëmeve.

Në lidhje me sistemin Bonus Malus, mund të themi se ai përfaqëson një sistem eficent tarifimi, i cili pasqyron profilin e riskut, duke individualizuar tarifat e primeve. Kjo nënkupton, nëse i siguruari, përfshihet në një nga klasat e Bonusit, primi do të zvogëlohet dhe e kundërta do të ndodhë nëse përfshihet në klasat e Malusit, në varësi të historikut të dëmeve që i siguruari do të ketë në vitet e fundit. Tarifimi me bazë risku nënkupton:

– Rritjen e përgjegjësisë së drejtuesve të automjeteve, pasi ata që shkaktojnë aksidente duhet të paguajnë një prim më të lartë;
– Çmime të ndryshme për risqe të ndryshme;
– Drejtuesit e automjeteve që kanë makina me motorë të një shkalle më të vogël duhet të paguajnë prime më të ulëta krahasuar me ata që kanë makina me motorë të fuqishëm, etj.
AMF konstaton se ndryshimet e parashikuara në projektligjin e ri, edhe pse tregu është i liberalizuar, e orientojnë atë drejt çmimeve më të ulëta për siguracionet TPL, jo vetëm falë sistemit Bonus-Malus, por edhe për shkak të menaxhimit më të mirë financiar të kompanive.

Si paraqitet sot që flasim situata me Fondin e Kompensimit? AMF deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se detyrimet e prapambetura prej 1.3 miliardë lekësh të dhëna si shifër pak vite më parë kanë rezultuar më të larta. Sa është vlera e mbetur aktualisht dhe si do të vijohet me planin e shlyerjes nga kompanitë?

Me vendimin e Bordit për “Fondin e Kompensimit 2018”, Autoriteti, pasi ka marrë në shqyrtim situatën e Fondit të Kompensimit lidhur me detyrimet e mbartura të akumuluara ndër vite, si dhe detyrimet që do të lindin gjatë vitit 2018, synon t’i japë zgjidhje përfundimtare pagesave të prapambetura, objekt i Fondit të Kompensimit. Situata paraqitet si më poshtë:

Vlerat e detyrimeve mund të ndryshojnë, duke qenë se një pjesë e çështjeve janë ende në proces gjyqësor.
Byroja dhe shoqëritë duhet të shlyejnë menjëherë dosjet që janë të papaguara, si edhe do të provigjonohet çdo dosje në proces apo që është objekt gjykimi nga gjykatat. Autoriteti është i vendosur, me gjithë ndonjë pengesë rrugës, që ky proces do të mbyllet brenda këtij viti, duke mbyllur njëherë e mirë një problematikë të mbartur prej 16 vitesh.

Duket se ka një rreth vicioz ku qarkullon problematika e Fondit të Kompensimit, që lidhet ngushtë me funksionimin dhe transparencën në Byronë e Sigurimit. Prej muajsh po kërkohet zgjedhja e nje audituesi ndërkombëtar, gjë e cila nuk po ndodh. Cilat do të jenë detyrimet e këtij auditimi dhe si mendoni se do të zgjidhet ngërçi me Byronë?

Çështjet e mbartura që nga viti 2002 dhe ligji “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit rrugor” kanë krijuar një ngërç në marrëdhëniet mes Autoritetit dhe Byrosë. Por, Autoriteti do t’i japë zgjidhje përfundimtare çështjes së pagesave të prapambetura brenda këtij viti, si dhe provigjonimit të të gjitha çështjeve që janë në proces gjyqësor. Duke qenë se shifrat e Fondit të Kompensimit nuk janë të certifikuara, AMF ka kërkuar përzgjedhjen e një shoqërie audituese ndërkombëtare për këtë qëllim.

Shoqëria, e cila tashmë është përzgjedhur nga Byroja, duhet të bëjë transparencë të plotë, duke nxjerrë një pasqyrë të qartë jo vetëm në lidhje me detyrimet, por edhe pagesat e kryera dhe gjithë praktikat e ndjekura të ngjarjeve të sigurimit, objekt i Fondit të Kompensimit. Ndryshimet ligjore të propozuara në projektligjin e ri i japin zgjidhje përfundimtare çështjes së funksionimit të Fondit të Kompensimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat