“Prokurori do 2 mijë euro”: Gjykata lë në burg policin dhe avokatin

Shqipëria

“Prokurori do 2 mijë euro”: Gjykata lë në burg policin dhe avokatin

Më: 14 korrik 2018 Në ora: 13:41
Durrës

Dyshohej se merrnin 2 mijë euro nga qytetarët, duke iu dhënë garanci për ndërhyrje te gjyqtarë dhe prokurorë, lihen në burg polici i Gjykatës së Durrësit, Haki Dyli dhe avokati Denis Qama.

Të dy u arrestuan katër ditë më parë pas një hetimi disamujor, ndërsa u akuzuan për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Masa e sigurisë në ngarkim të policit dhe avokatit nga Tirana u zhvillua me dyer të mbyllura, ku prokurori Afrim Shehu, pasi lexoi relacionin, kërkoi si masë shtrënguese për të arrestuarit atë të “Arrestit me burg”.

Dy të akuzuarit, pavarësisht faktit se janë mbajtur në përgjim nga Prokuroria, mësohet se e kanë mohuar akuzën. Avokatët e tyre kërkuan një masë shtrënguese më të lehtë deri në fund të hetimeve. Në fund, gjyqtari Petraq Curri pranoi kërkesën e organit të akuzës, duke vendosur “Arrest me burg” për Haki Dylin dhe Denis Qama.

Ndërkohë, gjyqtari Curri mori në administrim dosjen me provat materiale, ku më kryesoret janë përgjimet ndaj dy të arrestuarve. Efektivi i policisë Haki Dyli dhe avokati Denis Qama u mbajtën nën përgjim, pasi u kallëzuan nga kryetarja e Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi, si të dyshuar se u merrnin qytetarëve të ndryshëm që kishin procese të hapura gjyqësore, shuma parash. Këto para, ata i merrnin me premtimin se do ndikonin te gjyqtarët dhe prokurorët për ta mbyllur çështjen në favor të tyre.

Pas një hetimi me metoda speciale, u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme dhe arrestimi u krye nga SHÇBA-ja në Tiranë.

“Të dy këta shtetas, dyshohet në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u premtonin palëve në proces hetimi dhe gjykimi favorizim përmes ndikimit me forma antiligjore. Në këmbim të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm te gjyqtarë e prokurorë, ata kërkonin shpërblime monetare, që varionin deri në 2.000 euro. Kallëzimi u krye nisur nga dyshimet se punonjësi i policisë Haki Dyli merrte para në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pa dijeninë e këtyre të fundit, duke u premtuar dhe mashtruar qytetarët mbi zgjidhjen në favor të tyre të çështjeve gjyqësore. Para qytetarëve që kishin çështje të hapura gjyqësore, punonjësi i policisë hiqej si ndërmjetësues mes qytetarëve dhe prokurorëve e gjyqtarëve”,bëjnë të ditur burime nga Policia. Ndërkaq, deri në përfundim të hetimeve, ata tashmë do të qëndrojnë në burg.

Njoftimi i SHÇBA lidhur me arrestimet

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme ekzekutoi 2 urdhër ndalimet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për:

– Inspektor Haki Dyli, 60 vjeç, punonjës policie me detyre trupë shërbimi në Sigurinë e godinës së Gjykatës Durrës;
– Devis Qana, 40 vjeç, Avokat, pranë Dhomës së avokatisë Tiranë.

Ndalimi i tyre u bë në kuadër të një procedimi penal nisur disa muaj më parë, për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Pas një hetimi me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme. Të dy këta shtetas, dyshohet në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u premtonin palëve në proces hetimi dhe gjykimi favorizim përmes ndikimit me forma anti-ligjore. Në këmbim të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm te gjyqtarë e prokurorë, ata kërkonin shpërblime monetare që varionin deri në 2.000 euro.

Hetimet po vijojnë për të zbardhur të tjera detaje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat