Zgjaten hetimet për Tahirin, prokurorët kërkojnë pronarin, shoqëruesit dhe “sponsorin” e jahtit luksoz

Shqipëria

Zgjaten hetimet për Tahirin, prokurorët kërkojnë pronarin, shoqëruesit dhe “sponsorin” e jahtit luksoz

Më: 14 korrik 2018 Në ora: 15:10
Saimir Tahiri

Prokuroria ka vendosur të zgjasë edhe tre muaj afatet për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Teksa afati aktual përfundon më 17 korrik, prokuroria e ka shtyrë sërish atë me qëllim të ardhjes së letër-porosive nga Greqia dhe Italia.

Prokuroria ka dërguar tre letërporosi të reja drejt Italisë. Dy janë dërguar në qershor dhe një në korrik.

Këtë javë prokurorët e dosjes do të shkojnë në Itali për të rimarrë në pyetje të pandehurit.

I zhveshur nga posti i ministrit të Brendshëm, në kulmin e akuzave të opozitës për lidhje me trafikantët e drogës, Saimir Tahiri duket se ka zgjedhur të udhëtojë me jaht luksoz nga Mali i Zi në Leçe të Italisë.

Ky udhëtim i ish-ministrit, nën hetim për lidhje me grupin kriminal Habilaj, është zbuluar së fundmi nga grupi i prokurorëve që po heton për aktivitetin e tij, pas këqyrjes së telefonit të njërit prej personave të dyshuar, ku janë gjetur foto të Tahirit dhe personave që e shoqëronin.

Burimet thanë se bëhet fjalë për verën e 2017, pak javë përpara se Prokuroria për Krime të Rënda të niste hetimin ndaj Tahirit dhe ka gjasa ta rëndojnë jo pak pozitën e tij përballë drejtësisë, shkruan ‘BalkanWeb’.

Burime pranë grupit të hetimit thanë se gjatë hetimit ka rezultuar se ish-ministri ka udhëtuar me automjet nga Shqipëria drejt Malit të Zi dhe prej andej me jaht në drejtim të Leçes.

Por, grupi i hetimit, kërkon të zbulojë se kush është pronari i jahtit, me kë udhëtoi ky i fundit nga Mali i Zi në Itali, ku u akomodua ish-ministri dhe miqtë e tij dhe kush i pagoi shpenzimet.

Në fakt kjo nuk ishte hera e parë, që Saimir Tahiri udhëtonte drejt vendeve fqinje duke drejtuar mjete lundruese në pronësi të personave të tretë.

Në 2014, vetëm një vit pasi kishte marrë detyrën e ministrit të brendshëm, ai udhëtoi drejt Greqisë, me një skaf në pronësi të Orgest Liperit.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se skafi pësoi defekt dhe Saimir Tahiri kërkoi ndihmën e Artan Habilajt dhe një zyrtari policie.

Të dy ata e sollën mjetin lundrues në Shqipëri. Momenti që e implikon në këtë pikë ish-ministrin, është fakti se skafi në pronësi të Liperit u dërgua në Itali nga vetë Moisi Habilajt, i dyshuar si kreu i grupit kriminal e që aktualisht ndodhet në burg në Katania.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat