Baze: Thelbësore reforma në arsimin, të krijohet një treg konkurrues universitetesh

Shqipëria

Baze: Thelbësore reforma në arsimin, të krijohet një treg konkurrues universitetesh

Më: 15 korrik 2018 Në ora: 08:12
Mero Baze

Analisti Mero Baze vlerëson se reforma e tregut në arsim e ndërmarrë nga qeveria “Rama” ka qenë shumë e guximshme edhe pse duket sikur ka mbetur në mes për shkak të mungesës së akteve nënligjore. Ai thekson se parimi që të krijohet një treg konkurrues universitetesh dhe gërmadha e Universitetit publik të shpëtojë nga pronarët e emëruar nga shteti, është thelbësore. Analisti i njohur nënvizon se zbatimi i shpejtë i kësaj reforme mund të na çojë në një realitet të ri për arsimin, ku vazhdojnë të prodhohen diploma pa vlera.

Një tjetër temë që analizon Mero Baze është edhe gjendja në sistemin shëndetësor, për të cilin është i mendimit se mjekësia është një plagë e pambyllur, por vlerëson se ajo që ka ndodhur është e pakrahasueshme.

 Më poshtë intervista me Bazen botuar sot si kopertinë e DITA-s:

 -Zoti Baze,  qeveria “Rama” është duke përfunduar vitin e parë të mandatit të dytë. Një mandat ky që duket që ka nisur me vështirësi. Cili është mendimi juaj për qeverisjen e vendit në këto pesë vitet e fundit?

E kam të vështirë të bëj bilance “pesëvjeçarësh”, pasi për t’i bërë ato duhet të kthehemi pesë vite. Kur Edi Rama fitoi në vitin 2013, “Kasandra” thoshte se ai do të rrëzohet si Papandreu në Greqi, pasi vendi ishte në një krizë të pashembullt financiare. Përveç borxhit publik që kishte shkuar 79 për qind, vendi ishte në depresion të thellë ekonomik me rritje negative ekonomike, dhe bojkot të institucioneve financiare ndërkombëtare.

Ndryshimi i sistemit të taksimit nga taksë e sheshtë në atë progresive u duk e frikshme, por funksionoi. Sistemi i taksimit është bërë paksa më i vështirë për t’u llogaritur, por më i sigurt në formalizimin e të ardhurave. Tani mund të konsiderohet stabël, dhe i vetmi problem janë impulset elektorale që Edi Rama fut herë pas here në paketat fiskale.

Pesë vite më pas nuk është më kështu. Vendi ka rritjen ekonomike më të lartë në rajon, borxhin më të ulët publik, dhe ankesa kryesore e “kokave të financës” së Sali Berishës është pse është leku i fortë. Me sa duket i kanë ruajtur paratë në euro gjatë pushtetit dhe duan të kthejnë hallin personal në hall kombëtar.

Duket sikur është harruar, por Shqipëria ka bërë reformën më të guximshme dhe më të thellë në sistemin e sigurimeve shoqërore, atë që quhet reforma  e pensioneve. Shqipëria ishte në prag të falimentit, pasi piramida e pensioneve nuk furnizohej dot më nga kontributet dhe reforma  e guximshme e pensioneve bën që tani qytetarët të jenë të interesuar për të paguar siguracionet pasi pensioni llogaritet në bazë të tyre dhe jo siç ka qenë më parë.

Po ashtu ka bërë disa reforma të guximshme tregu, të cilat për fat të keq nuk janë përmbyllur dhe nuk janë instaluar në detajet e tyre. E di që mjekësia është një plagë e pambyllur, por është e pakrahasueshme ajo që ka ndodhur.

Reforma e tregut në arsim po ashtu ka qenë shumë e guximshme edhe pse duket sikur ka mbetur në mes për shkak të mungesës së akteve nënligjore. Parimi që të krijohet një treg konkurrues universitetesh dhe gërmadha e Universitetit publik të shpëtojë nga pronarët e emëruar nga shteti, është thelbësore. Zbatimi i shpejtë i kësaj reforme mund të na çojë në një realitet të ri për arsimin, ku vazhdojnë të prodhohen diploma pa vlera.

Janë hedhur bazat e reformimit të sektorit të kulturës dhe menaxhimit të vlerave kulturore si vlera tregu për t’i ikur parazitëve me rroga shteti.

Por aspekti më i fortë i qeverisjes janë liritë civile. Ardhja e Edi Ramës në pushtet ndryshoi historinë e lirive civile në Shqipëri dhe sjelljen e liderit ndaj publikut. Edi Rama është një beze e kuqe për liritë qytetare, një ndjellës i tyre, i frymës së protestës dhe agresivitetit personal ndaj tij dhe ai e përdor këtë me mjeshtëri. Ai u përball me protestat masive gati histerike për armët kimike dhe pranoi histerinë e publikut duke u tërhequr. Sali Berisha mund të tërhiqej pas dhjetëra të vrarësh.

Edi Rama shikohet nga të gjithë si një udhëheqës që mund ta shash, ta sulmosh, ta fyesh, të zihesh me të në facebook, në telefon, në rrugë, në restorant, mund ta trajtosh si një shok lagjeje apo fëmijërie si ish të dashur, apo hipi dhe nuk ndjehesh i rrezikuar prej kësaj. Sali Berishën duhet ta trajtoje ose si kryeministër me pushtet, ose si armik dhe për të dyja e dije çmimin.

Shumë nga këta që protestojnë tani kundër Edi Ramës i kam miq dhe i respektoj, por kur ishte puna të bëje betejë me Berishën të takonin rrugës e të thonin të ruajt zoti. Dhe i kapte paranoja mos kishin rënë në sy të Berishës dhe për këtë. Po flas për këta të mirët vërtetë. Jo ata që kur Berisha vriste në Bulevard numëronin lekët e vjedhura nga nafta në Dërmenas, kurse tani “janë me  Teatrin”.

Në këtë aspekt Shqipëria është bërë vend normal me një Kryeministër anormal për standardin që janë mësuar shqiptarët.

-Mund të rendisni tre prioritetet që qeveria i ka bërë mirë dhe tre të tjera me të cilat ka dështuar?

Mendoj se qeveria ka arritur të ruaj stabilitetin makrofinanciar, ka bërë revolucion në kontrollin e territorit dhe ka ndryshuar qasjen e shqiptarëve ndaj lirive të tyre.

Qeveria ka dështuar në krijimin e një administrate publike profesionale, ka dështuar në reformën anti korrupsion për të shkëputur qytetarët nga kthetrat e hajdutëve të administratës dhe natyrisht ka dështuar në tenderimin publik. Duket se në këtë proces kanë më shumë peshë organet e apelimit se sa gara me kritere.

-Kryeministri Rama përpara se të vinte në pushtet ka bërë disa premtime, të cilat duket se i ka zënë pluhuri i harresës. U premtua vënia përpara drejtësisë e pushtetarëve demokratë që patën abuzuar me pushtetin. Pse deri më tani nuk është parë asnjë “peshk i madh” përpara drejtësisë?

Këto nuk janë objektiva qeverie, janë objektiva politike që vijnë përmes reformës në drejtësi. Më në fund atë e ka bërë por dhe ajo ka marrë shumë plagë rrugës dhe do t’i duhet kohë të fillojë të funksionojë.

-Po e bëj pyetjen ndryshe. Mendoni se kjo klasë politike ka një marrëveshje për të mbrojtur njëri-tjetrin?

Marrëveshje nuk ka, por ka një instinkt të tillë tek gjithë politikanët. Askush nga ministrat pasardhës nuk çon dosje për paraardhësit. Krijohet një aleancë e heshtur mes tyre, por jo se ka ndonjë marrëveshje.

Por jemi akoma brenda sistemit të vjetër. Krijimi i SPAK dhe funksionimi i reformës do të trondisë botën politike.

-Z.Baze, Gërdeci, 21 Janari, Rruga e Kombit, a mund të quhen tashmë çështje të arkivuara?

Shanse për t’u rihapur ka përmes fakteve të reja që mund të nxirren, por vullnet ka gjithnjë e më pak. Lulzim Basha e ka garantuar amnistinë përmes ligjit të dekriminalizimit për të cilin bëri presion për votën, sa të shpëtonte veten, por vrasjet e Gërdecit dhe 21 janarit nuk mund të parashkruhen.

Ato janë vrasje dhe janë vrasje të një familjeje, Familjes Berisha. Pinoçeti shkoi me barela në gjyq. Sali Berisha pastë fat e shkon me këmbë, që ta mbyllë atë plagë e të mos u lërë nipave dhe mbesave gjaqe të hapura, meqë e ka qejf Kanunin.

-Ju thatë jemi ende brenda sistemit të vjetër. Por reforma në drejtësi, po ecën me ritme tepër të ngadalta. Sipas jush, ka një përpjekje për ta penguar apo ky i ngadalti është procesi normal?

Reforma në Drejtësi u plagos gjatë rrugës, u bën kompromise të shëmtuara përmes mekanizmash që banalizuan dhe cilësinë e organeve të para që u zgjodhën. U futën shumë mekanizma ngadalësues të procesit, me shumë malinjitet dhe qartësi për ta ngadalësuar atë.

Por mendoj se ky viskozitet do tejkalohet. Në momentin që do kemi një Prokuror special dhe një Prokuror të Ri të Përgjithshëm, situata do të jetë krejt ndryshe.

–Në qeverinë aktuale u tha se administrata do të pastrohet nga militantët, do të luftohet korrupsioni, shteti do të jetë më i drejtë. Por raportet ndërkombëtare dhe jo vetëm ata, nënvizojnë se asnjë nga këto synime nuk është arritur. A po shfrytëzon Rama dobësinë e opozitës për të justifikuar dështimet?

Spastrimi i administratës është një sfidë që nga një anë komplikohet nga rregullat evropiane të nëpunësit civil që na janë imponuar, dhe nga ana tjetër përkeqësohet më shumë nga truket ndaj këtyre rregullave.

Kështu që mund të themi pa frikë së administrata publike është një dështim i madh. Ajo është një konglomerat të paaftësh, të pamotivuarish dhe natyrisht të prirur për korrupsion.

Në Shqipëri kur dikush të kërkon ndihmë ti gjesh punë ka parasysh gjithnjë shtetin dhe nëse i thua të gjejë tek një privat rrudhë buzët. Kjo sepse ata nënkuptojnë një vend pune pa punë dhe me ndonjë fitim nën dorë. Është një dështim që shkëlqen.

-Ju në editorialet e tua shpeshherë keni theksuar se në qeveri, Edi Rama është jo vetëm violinë e parë, por edhe se po merr përsipër dështimet e ministrave të tij. Sipas jush, a duhen bërë ndryshime në qeveri? Dhe nëse po, në cilat ministri duhet të ketë një rifreskim?

Mendoj se Rama është një kryeministër atipik, që kërkon të sundojë qeverinë dhe jo ta drejtojë atë. Shumica  e ministrave të tij ndoshta nuk e kanë ëndërruar kurrë atë vend, dhe nuk jam i sigurt se çfarë mendojnë në mëngjes kur zgjohen nga gjumi, çfarë motivi i çon në zyrë apo çfarë kanë në kokë. E sigurtë është që kanë Edi Ramën dhe jo idetë e tyre.

Një qeveri ka nevojë të ketë ministra me peshë personaliteti, që nuk e ke kollaj t’u diktosh çdo gjë përveç doktrinës politike. Berisha ka pas të tillë. Biles ka pas nja katër a pesë ministra që nuk u hynte në punët e tyre.  Nano po ashtu.

Rama thuajse nuk ka. Janë të gjithë profile si drejtorë bashkie. Por Shqipëria nuk është Bashki, është shtet.

-Cili është mendimi juaj për PPP-të. Në qeverinë Rama po zbatohet shpesh kjo lloj praktike?

PPP është mallkuar si një mekanizëm korrupsioni, por në fakt në thelb është një mekanizëm tregu në financimin e veprave publike. Është padyshim një përpjekje për të transferuar borxhin tek operatorë të fortë në treg dhe për të devijuar nga rregullat e prokurimit publik.

Problemi që kanë PPP në qeverinë Rama, janë pikë së pari ofertat e pakërkuara. Pra ne të gjithë e dimë kush do ta marrë PPP ende pa u bërë tenderi. Një tender transparent dhe rregulla të qarta monitorimi mund t’i bënin ato histori suksesi.

Siç kanë nisur nuk më duket se do funksionojnë, pasi ne qysh tani dimë se kush do ta marrë Thumanën, kush do ta marrë Tunelin e Llogarasë, kush do t’i marrë inceneratorët, etj.

Nga ana tjetër janë dhe kostot. Kostot e punëve që bëhen me PPP janë tmerrësisht më të larta për të njëjtat punë kur i prokuronte qeveria. Sado të hyjnë në mes interesat e kredive janë anormale.

Pra është ide që po degradon pa nisur. Dhe është më mirë të ndalet nëse vazhdon kështu.

-Një nga akuzat që i bëhen qeverisë Rama janë dhe koncesionet. Jo vetëm që jepen pa një studim, por përfitues në shumicë janë ish klientë të Berishës që tashmë duket se kanë kthyer krah. Shikoni ju probleme te koncesionet?

Koncesionet në thelb janë privatizim shërbimesh që bëhen nga qeveria për të shkurtuar kostot. Dhe vlejnë kur i përmbahen këtij parimi. Pra nuk duhen futur të gjitha në një thes. Ka prej tyre që janë sukses.

Por natyrisht koncesionet ashtu si PPP kanë nevojë për procedura transparente tenderi, për mbikëqyrje të fortë shtetërore në zbatimin e  kontratës dhe shmangien e abuzimeve me termat e kontratës.

Nëse pas një koncesioni qytetarët paguajnë më shumë se sa pagunin kur atë shërbim e merrnin nga qeveria, atëherë ai ka dështuar.

Shumica e PPP-se po përqendrohen në rrugë. A nuk mund ti bëjë vetë rrugët qeveria?

Kjo qeveri nuk është se nuk ka lekë për rrugë, por kjo ka një mungesë qartësie për atë çfarë është prioritare dhe çfarë është sekondare për rrugët.

Vetëm këtë qeveri kam parë, që lë pa prekur për pesë vjet dy akse nevralgjike të Shqipërisë, Bypassin e Fierit dhe rrugën e Kardhiqit dhe bën çdo rrugë tjetër që nuk i duhet njeriu në këtë vend.

Një mijë herë ti pyesësh një mijë herë ke një përgjigje idiote pse nuk bëhet Bypass i Fierit, pse nuk mbyllet tenderi dhe pse të nxihet jeta në një rrugë që ka filluar qysh më 2009.

Tani kësaj torture i shtohet dhe Bypass i Tepelenës, ndërkohë që prej 5 vitesh kanë ngelur vetëm 17 km në rrugën Kardhiq Delvinë dhe ato nuk janë prekur. Gënjeshtrat e katër viteve të para ishin se do bëhej me koncesion, pastaj me PPP tani për fat u kthjelluan dhe do ta bëjnë me lekët e buxhetit.

Bëhet fjalë për destinacionin më të kërkuar të turizmit Tiranë- Sarandë, që nëse do bëhet rruga e Kardhiqit dhe Byppas i Fierit shkon rruga 2 orë e gjysmë.  Mund të plasësh nga marazi por ato nuk bëhen.

Për ide të çmendura të Berishës e Bodes,  si Rruga Qukës Qafë Plloç, harxhohen nga Rama qindra miliona euro, kot, kot, kot, gati si një krim ekonomik që duhet të pres koka. Për një rrëshqitje si ajo në Qafë Krrabë ka 5 vite që bllokohet autostrada e Elbasanit kur kanë ngelë dhe 5 kilometra.

E gjithë kjo ka ardhur se këto pesë vite Shqipërisë i ka munguar një Ministër Transporti i qëndrueshëm, një Drejtori rrugësh profesionale dhe një vizion i qartë i kryeministrit për rrugët. Ka harxhuar miliona për rrugët, më shumë dhe se Berisha po të heqësh Rrugën e Kombit, por i ka hedhur lekët “si gjilpëra në kashtë”, në rrugë që nuk duken, dhe ka injoruar nevojat emergjente të vendit për rrugë.

Është një sëmundje e keqe, dhe tani me superministrinë e Gjiknurit kam frikë se do jetë dhe më keq, pasi kjo është një nga 200 telefonatat në ditë që ai ka si ministër.

Keni pasur disa beteja publike kundër HEC. Dukeni si një armik i tyre?

Jam i tmerruar në fakt prej tyre. Është një nga projektet kriminale që na la peshqesh Sali Berisha. Janë betonizuar gjithë përrenjtë e lumenjtë malor të Shqipërisë, të vetmet perla që na kanë mbetur për turizëm dhe kemi shkaktuar masakër në tregun energjetik.

OSHEE duhet t’ua blejë energjinë këtyre HEC me çmim të fiksuar, dhe kur ato kanë energji, pra kur kanë ujë përrenjtë tanë, çmimi i energjisë tek ne është i ulët, por ne ua blejmë HEC-ve shtrenjtë, se kanë kontratë me çmim të fiksuar. Kur nuk ka ujë, s’ka as energji dhe ne e blejmë prapë shtrenjtë jashtë.

OSHEE ka 25 milionë euro në vit humbje prej tyre, Shqipëria po betonizohet dhe fitojnë vetëm disa investitorë që i kanë blerë me lek tek pushteti licencat. Ato jo vetëm që duhen ndërprerë, por shumë prej tyre dhe duhen anuluar pasi i kanë dhe dosjet copë- copë.

Energjia në bursë mund të blihet më lirë se nga çmimi ynë i fiksuar, dhe  s’kemi pse shkatërrojmë vendin për të pasuruar disa biznesmenë.

-Meqë e lidhe me turizmin, çfarë mendon për perspektivën e turizmit në Shqipëri?

E vetmja pasuri që ka Shqipëria për turizmin, është varfëria dhe ne duhet të përdorim varfërinë për turizmin tonë. Malet tona të paprekura, fshatrat e braktisura, rrugët e  pashkelura, malet tona të mahnitshme, janë një destinacion i pazakontë turistik.

Peshtani ishte një fshat thuajse i braktisur një dekadë më parë, por unë tani shkoj çdo fundjavë dhe çdo fundjavë në fshat ka të huaj që vijnë të ngjiten maleve ose të flenë në shtëpi thuajse të këqija fshatarësh. Bregdeti po ashtu është i lirë.

Industria jonë e turizmit është në ekspasion. Ajo ka problem fuqinë punëtore të kualifikuar, një sistem sigurie për turistët dhe guidat  e trajnuara, si dhe pasigurinë për të ardhmen e saj nga kombinimi idiot që qeveritë tona bëjnë për ta zhvilluar vendin, edhe si vend turistik, edhe si vend industrial dhe për hiking dhe për HEC, dhe për hotele me pesë yje dhe për fabrika çimento.

Shqipëria duhet të zhvillohet vetëm si vend turistik, pasojë e të cilët është zhvillimi cilësor i bujqësisë dhe rikthimi i njerëzve në fshat. Kjo do na shpëtojë nga geto të tilla si Tirana, Durrësi apo Elbasani dhe do çlirojë energji të reja në vend, për të mundësuar rikthimin në atdhe së paku të shumë emigrantëve nga Greqia që kanë një lloj kualifikimi për këtë industri.

Ndryshe ne do mbetemi një vend me pleq, pa fuqi punëtore dhe me biznesmenë që në fund pasi janë bërë milioner duke shkatërruar gjithçka, nuk do të dinë ku të gjejnë pastruese t’u shërbejë.

Dhe diçka në fund. Ish presidenti Nishani ka pas një editorial kundër jush lidhur me dekretimin e gjyqtarit Thanza. Keni koment?

Bujari nuk shkruan dot se nuk i punon as dora as mendja. Shkrimi ka qenë për Berishën jo për Bujarin. Por Berisha siç ka bërë Dekretin e Thanzës në emër të Bujarit bën dhe shkrime në emër të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat