Dizdari vs. Rroshi, Bylykbashi: Nuk është vetting, por banditing

Shqipëria

Dizdari vs. Rroshi, Bylykbashi: Nuk është vetting, por banditing

Më: 15 korrik 2018 Në ora: 14:35
Përmes një statusi në Facebook, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka komentuar vendimin e gjykatës ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi

Përmes një statusi në Facebook, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka komentuar vendimin e gjykatës ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, që sipas tij ka rrëzuar një prej mekanizmave kryesorë të ligjit për dekriminalizimit: falsifikimin e formularit, që duhej të dënohej me burg.

“Kjo është një ftesë për kriminelët, që ligji i dekriminalizimit të mos i penalizojë e të ndihen të paprekshëm dhe të mbrojtur nga Rama”, shkruan ndër të tjera Bylykbashi.

Por, deputeti demokrat është shprehur edhe më i ashpër në lidhje me vettingun, duke shkuar deri aty sa ta quajë “banditing”.

“Pardje pashë dy lajme. Një nga vettingu dhe një nga gjykata. I pari thoshte se një gjyqtari të Gjykatës së Lartë i rrezikohej mandati, sepse e kishin parë në prani të një personi‎ ‘të rrezikshëm’, që media thoshte e kishte të afërm. I rrezikshëm, sepse na ishte kapur me ‘plot’ 0.4 gram kanabis (ose zero presje katër gramë, që të kuptohet që nuk kam shkruar gabim) e jo me 1, 2 apo 3 tonë kanabis, si kushërinjte apo vëllezërit e ministrave që ka rrotull Kryeministri. Pashë një gjykatës të lartë, që rrinte i heshtur përpara një trupe pompoze nëpunësish administrativë, që nuk e di nëse kanë ëndërruar profesionalisht ndonjëherë të jenë pjesë e Gjykatës së Lartë, e tashmë kanë në duar fatin e gjykatësve e prokurorëve”, shprehet në postin Bylykbashi.

“Lajmi i dytë fliste për Elvis Rroshin, i dënuar për përdhunim në grup, i dënuar për plagosje me armë zjarri, i proceduar për vepra të tjera të rënda penale me emra të ndryshëm, që kishte kryer krimin e falsifikimit të formularit të dekriminalizimit, por që Edi Rama e mbronte në publik, edhe pse ishte kriminel. Elvis Rroshi u dënua me një dënim të ‘tmerrshëm’, vetëm 60 orë punë në komunitet, edhe pse u provua që ka falsifikuar formularin shtetëror dhe për këtë dënimi shkon deri me burg”, vijon më tej Bylykbashi.

Ish-kryebashkiaku i Kavajës dhe, siç shprehet deputeti i PD-së, “një bandë kriminelësh në Parlament, bashki dhe administratën e Ramës”, u bënë simbol i nevojës për ndryshimin e Kushtetutës, që të miratohej ligji i dekriminalizimit. Por, Elvis Rroshi doli i qeshur e me kokën lart nga gjykata. “Në atë buzëqeshje, ai shprehte triumfin mbi drejtësinë me ndihmën e tutorit të tij politik”, shkruan më tej deputeti demokrat.

“Rama vrau me dorën e gjykatësve të frikësuar nga vettingu një nga armët e ligjit të dekriminalizimit: kur guxon dhe mashtron e falsifikon formularin e dekriminalizimit, që të marrësh post publik edhe kur je i dënuar, shkon në BURG! Kjo është ftesë e re për kriminelët. Na ndihmoni me vota të blera, ne iua shpërblejmë me poste. Ju mashtroni në formularin e dekriminalizimit, se maksimumi dy muaj punë në komunitet do të dënoheni”, ironizon Bylykbashi.

Në fund, ai e mbyll me kritikën e ashpër ndaj drejtësisë së reformuar.

“Në këtë Drejtësinë e Reformuar me mbikëqyrje nga ORMN (Ofiçina e Riparimit të Mjeteve të Ndërtimit‎), vettingu ka bërë që ikën gjyqtari që ka dhënë dënime me burg për kriminelë, por ai që ka ‘përdhunuar në komunitet’ dënohet me ‘punë në komunitet’, pra lihet i lirë. Fati i banditit dhe gjyqtarit bashkohen, ndahen dhe përcaktohen në psiqikën që nuk fal të Edi Ramës‎. Une nuk e kam lexuar, por nuk është çudi, që gjyqtarin ta ketë përmendur me emër te ‘Kurbani’. Një pyetje kam: nëse gjyqtari do të ishte parë në shoqërinë e Elvis Rroshit, siç qëndron Rama, a do të përbënte kusht skualifikimi në sytë e këtyre nëpunësve të vettingut?‎ Po çfarë vetting thoni, ky është banditing!”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat