Aleatët e PD-së: Takimi i Parisit, pazar i dyshimtë, do të bojkotojmë - Bota Sot
Aleatët e PD-së: Takimi i Parisit, pazar i dyshimtë, do të bojkotojmë

Shqipëria

E martë, 23 tetor 2018

Aleatët e PD-së: Takimi i Parisit, pazar i dyshimtë, do të bojkotojmë

Më: 16 korrik 2018 Në ora: 10:15
Nard Ndoka

Kryetari i Partisë Demokristiane dhe anëtarë i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Nard Ndoka, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, deklaron se opozita nuk ka asnjë informacion për vendimet që kanë marrë bashkëkryetarët e komisionit, siç ishte “udhëtimi turistik” i ditës së enjte në Paris. Aleati i PD-së tha se kryetarët e komisionit kanë hequr dorë nga përgjegjësia institucionale, duke e kthyer Reformën Zgjedhore në një ‘reformë shëtitëse” nëpër hotele luksoze, ndërsa kryetari Oerd Bylykybashi ka treguar më shumë afrimitet më kryetarin e komisionit të PS, Bledi Çuçin, sesa me opozitën. Së fundmi, ai thekson se opozita ka kërkuar që të vendoset votimi elektronik, ndërsa maxhoranca e ka kundërshtuar në disa pika, duke kërkuar që të aplikohet vetëm në disa zona. Edhe pse në parim të dy palët janë dakord me propozimin, mënyra sesi do të aplikohet votimi elektronik përbën “thembrën e Akilit” të kësaj reforme zgjedhore. Ndoka paralajmëron se, nëse bashkëkryetarët e komisionit takohen për “pazare” dhe interesa të dyfishta, partitë e tjera të opozitës do të bojkotojnë Komisionin për Reformën Zgjedhore.

Z.Ndoka, gjatë takimeve për Reformën Zgjedhore me ndërkombëtarët, opozita ka kërkuar gjashtë pika të rëndësishme, ku përfshihet edhe votimi elektronik. Keni informacion se çfarë vendimesh kanë marrë bashkëkryetarët për këto çështje?

Jo, nuk kemi asnjë informacion. Unë besoj, se votimi elektronik do të marrë formë dhe vendimmarrje, pavarësisht kundërshtimeve nga pala e maxhorancës. Atyre nuk ju intereson që të ketë shtrirje në të gjithë territorin, por duan ta bëjnë në mënyrë të pjesshme votimin elektronik, kurse opozita është e vendosur se pa votim elektronik në gjithë territorin, vështirë se do të ketë zgjedhje.

Mendoni se do të jetë i mundur votimi elektroni për zgjedhjet e ardhshme apo do të pilotohet në disa zona?

Ndoshta në zgjedhjet lokale do të jetë një test. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse kemi zgjedhjet përpara dhe ka hapësirë për ta implementuar dhe për të bërë një reformë. Ne, si opozitë kemi pasur takime, por për fat të keq edhe vetë PD-ja nuk është e qartë nëse duhet ndërhyrë për sistemin dhe çfarë sistemi preferon. Pra, gjithmonë e shikojmë me rezerva “pazarin” mes dy partive dhe mund të ketë “lojë të dyfishtë”.

Sipas jush, çfarë “lojë të dyfishtë” po bëjnë dy partitë e mëdha?

Të tipit, se mund të bien dakord të dy palët që të kontrollojnë procesin. Unë asnjëherë nuk besoj se mund të ketë zgjedhje të lira kur kontrollohen nga të dy parti politike. Pra, monopolizimi i zgjedhjeve nga PD-PS është një “pazar” i hershëm dhe kjo i dëmton standardet, dëmton garancinë e zgjedhjeve të lira, sepse ato nuk heqin dorë nga monopoli i zgjedhjeve.

A kanë ofruar mbështetje financiare ndërkombëtaret për ndryshimet e propozuara në Reformën Zgjedhore?

Nuk është se ka ndonjë kosto të madhe, pasi e përballon buxheti jonë aplikimin e votimit elektronik. Unë e konsideroj më të rëndësishme Reformën Zgjedhore, sesa Reformën në Drejtësi. Nuk mund të kemi një politikë që del nga vota e vjedhur. Ndërkombëtarët kanë paraqitur gatishmërinë e tyre për ta suportuar këtë reformë.

Bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore kanë pasur një takim javën e shkuar në Paris, ku kanë mbyllur bisedimet për gjashtë çështjet sensitive. A keni informacion?

Për fat të keq, bashkëkryetari i komisionit e ka shikuar Reformën Zgjedhore më shumë si një OJF, me shëtitje nëpër hotele luksoze, nëpër seminare të ndryshme, ndërsa tani marrim vesh që paskan shkuar edhe në Paris. Nuk kemi fare informacion për shëtitjet e dy kryetarëve. Për fat të keq e kanë hequr pjesën institucionale të këtyre takimeve, duke e kthyer më shumë si një “reformë shëtitëse”, nga njëri hotel në tjetrin. Kohët e fundit nuk kemi bërë asnjë mbledhje në Kuvendin e Shqipërisë, e cila i ka të gjitha sallat dhe infrastrukturën e nevojshme për këto takime. Pra, e kanë kthyer më tepër në kuadrin e një projekti të OJF-ve, dhe të dy bashkëkryetarët janë produkt i tyre.

Sa transparent ka qenë bashkëkryetari i PD-së z.Bylykybashi me opozitën, për diskutimet që ka zhvilluar me bashkëkryetarin tjetër të PS-së për ndryshimet në Kodin Zgjedhor?

Fatkeqësisht z.Bylykybashi, siç duket më shumë ka lidhje me kryetarin e vet, se nuk ndan informacion me aleatët e opozitës. Ne po e ndjekim me shumë vëmendje, sepse nuk duhet të bëhemi pjesë e kësaj farse. Nëse vazhdojnë në kuadrin e këtyre pazareve, do ta bojkotojmë komisionin. Nuk duhet të bëhemi pjesë vetëm formalisht, pasi këta vazhdojnë me metodat e vjetra.

Pse ju krijohen dyshime të tilla? Cilat janë ndryshimet që dini ju të bëhen nga kjo reformë?

Për ne është shumë i rëndësishëm sistemi, sepse administrimi i zgjedhjeve është problematik. Depolitizimi i komisioneve zgjedhore është një domosdoshmëri. Pra, nuk mund të kontrollohen zgjedhjet nga militantët PD-PS, pasi koha ka treguar që kanë pasur vetëm hajdutë në numërimin e votave dhe jo njerëz që kanë përgjegjësi ndaj ligjit. Nëse vazhdojnë me këtë tendencë, nuk do ketë miratim. Besoj se javën që vjen do të na informojnë për takimin që kanë pasur me “dyer të mbyllura” në Paris. Opozita nuk ka pasur takime për Reformën Zgjedhore, ka pasur një dakordësi në parim, por në pjesën e diskutimit që ka të bëjë me sistemin do të vazhdojë të ketë diskutime. Votimi për emigrantët do të pilotohet, sepse nuk ka infrastrukturë, besueshmëri, por as informacion. Partia Socialiste e përdor si demagogji, por mund të krijohet një kulturë ligjore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test