Zv/ministrja flet për ndryshimet në arsimin universitar

Shqipëria

Zv/ministrja flet për ndryshimet në arsimin universitar

Më: 17 korrik 2018 Në ora: 20:51
Besa Shahini

Pas testimit dhe pilotimit të portalit “Mësues për Shqipërinë”, përmes së cilit punësohen mësuesit, zv/ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka folur për ndryshimet e fundit në arsimin parauniversitar.

E ftuar në një emision televiziv, Shahini ka shpjeguar se tashmë ka ardhur koha që ky mekanizëm të njihet ligjërisht, si formë për punësimin e mësuesve pa pasur nevojë të kalojnë për miratim nga ndonjë “iks” drejtori apo zyrë arsimore.

“Ndryshimet realisht, janë gjëra që janë bërë ndër vite, që i ka bërë Ministria. Janë gjëra që janë testuar, pilotuar dhe ka ardhur koha që t’i fusim edhe në ligj që të vendosim t’i bëjmë më të forta dhe implementimin (zbatimin) e tyre. Ndër më kryesorët është portali “Mësues për Shqipërinë” që funksion prej disa vitesh. Është një portal ku kandidatët aplikojnë me dosjet e tyre. Dosja përmban elementë si vitet e punës, studimet, pra të gjitha elementët që i japin kredi më shumë një mësuesi. Më pas i nënshtrohen një testi që administrohet online dhe në bazë të grumbullimit të pikëve, mësuesit renditen sipas lëndëve dhe zonave ku ato aplikojnë për të punuar. Kjo do të thotë që për një vend pune, në bazë të renditjes bëhet edhe përcaktimi i mësueseve që punësohen. Dhe nëse nuk i pëlqen vendi i punës, për një “iks” zonë, mësuesit kanë të drejtë të refuzojnë deri në 2 herë, pasi në të tretën herë hiqen fare nga portali dhe riaplikojnë sërish nga e para”, – ka sqaruar ajo.

Shahini e konsideroi transparent të gjithë procesin e punësimit të mësuesve, pasi sipas saj, janë punësuar mësuesit më të aftë, çka ka përmirësuar cilësinë e arsimit. Ajo ndau shifra lidhur me numrin e aplikimeve dhe punësimeve nga ky portal.

“Deri tani kanë aplikuar 13800 mësues… Janë punësuar rreth 4 mijë dhe kjo për ne do të thotë që është testuar mjaftueshëm si proces dhe si portal është përmirësuar sivjet. Kemi vendosur disa mekanizma, ku secili vend pune që hapet duhet të aplodohet (ngarkohet) në të njëjtin portal, kështu që i gjithë procesi është transparent. Pra, jo vetëm aplikimi, por edhe vendet e reja të punës. Kështu që, nuk ka nevojë të kalojë në zyrtarë të drejtorive apo zyra arsimore sepse thjesht një person e di kur hapet një vend pune dhe kur ofrohet ai vend pune”, – ka shtuar më tej zv/ministrja.

“Është një nga ndryshimet më progresive për punësimin e mësuesve”, – tha Shahini, ndërsa theksoi se ky ndryshim bëhet me qëllim që, edhe me ndryshimin e qeverive të mos ndryshojë mënyra e punësimit të mësuesve, por kjo e fundit të jetë sipas meritës së mësuesit”. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat