Si u rritën në 15 vite të ardhurat e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, sot del para KPK

Shqipëria

Si u rritën në 15 vite të ardhurat e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, sot del para KPK

Më: 18 korrik 2018 Në ora: 07:59
Ervin Metalla

Ervin Metalla, anëtar i Gjykatës së Apelit Tiranë prej vitit 2013 do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Ndonëse nuk është kandidat për institucionet e reja të drejtësisë, Metalla është bërë pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak se në vitin 2017 u zgjodh me short si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Metalla do të drejtohet nga Etleda Çiftja, me anëtare Valbona Sanxhaktari dhe Xhensila Pine.

Metalla është ndër gjyqtarët e parë të Apelit të Tiranës që përballet me procesin e vetingut. Ai ushtron detyrën e gjyqtarit prej më shumë se dy dekadash, ku ka punuar fillimisht në Gjykatën e Elbasanit, ndërsa në vitin 2006 është emëruar kryetar i Gjykatës së Durrësit- detyrë të cilën e ka mbajtur deri në vitin 2013.

Në korrik 2013, Metalla u promovua në Gjykatën e Apelit Tiranë. Paralelisht me punën si gjyqtar, Metalla ka dhënë mësim si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Drejtësisë si dhe ka drejtuar Unionin e Gjyqtarëve të Shqipërisë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Ervin Metalla nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. 

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Ervin Metalla zotëronte vetëm kursime në vlerën e 300 mijë lekëve në vitin 2003-kur deklaroi pasurinë për herë të parë. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e zotit Metalla kap vlerën e 16.7 milionë lekëve; duke shënuar rritje me 55 herë krahasuar me vitin fillestar.

Pasuria familjare e gjyqtarit Metalla ndahet në 12.8 milionë lekë pasuri të paluajtshme, automjete në vlerën e rreth 3.5 milionë lekëve, rreth 103 mijë lekë likujditete në bankë dhe rreth 196 mijë lekë kursime në cash.

Të ardhurat familjare të gjyqtarit Metalla për të gjithë periudhën deklaruese kapin vlerën e 23.9 milionë lekëve. Paga nga funksioni përbën 63 për qind të të ardhurave, angazhimi si pedagog dhe ekspert përbën 26 për qind të të ardhurave dhe paga e bashkëshortes 9 për qind.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit dhe asnjëra prej deklaratave nuk rezulton me shuma të pambuluara.

Megjithatë, BIRN ka identifikuar si “flamuj të kuq” transaksionet e gjyqtarit Metalla me një kredi bankare si dhe ndryshimin e disa kontratave të porosisë për blerjen e një apartamenti përgjatë viteve 2011-2013.

Më konkretisht, në vitin 2007 zoti Metalla ka lidhur një kontratë porosie për një apartament dhe ka marrë një kredi bankare për të në vlerën e 55 mijë eurove. Katër vjet më vonë, ai deklaron se detyrimet e kredisë u kanë kaluar personave të tjerë, ndërkohë që ka marrë mbrapsht këstet e paguara me vlerë 2.5 milionë lekë.

Po në vitin 2011, ai merr një kredi bankare prej 5 milionë lekësh dhe nënshkruan një kontratë të dytë porosie për blerjen e një apartamenti në Durrës me vlerë 7.5 milionë lekë. Kontrata e porosisë ndryshohet sërish në vitin 2012 dhe në vitin 2013, gjyqtari Metalla deklaron se ka përfituar përmes shkëmbimit një apartament me sipërfaqe 96.8 metra katrorë plus një garazh në Tiranë.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat