Legalizimet/ Nis në Agjencinë e Pronave pranimi i kërkesave për kompensim

Shqipëria

Legalizimet/ Nis në Agjencinë e Pronave pranimi i kërkesave për kompensim

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 07:37
Foto ilustrim

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njoftoi dje fillimin e procesit të pranimit të kërkesave për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale, gjeneralitetet dhe të dhënat e të cilëve janë sipas VKM Nr.433, datë 11.07.2018. Procesi i pranimit të kërkesave të subjekteve përfituesve do të fillojë në datën 23 korrik 2018 dhe nuk do të jetë i kushtëzuar dhe i kufizuar në kohë.

ATP fton të gjithë subjektet e interesuara, të paraqiten pranë zyrave të saj, në adresën Rruga “Muhamet Gjollesha”, Nr. 54, Tiranë, çdo ditë nga e hëna në të premte, për plotësimin e kërkesës për kompensim dhe dorëzimin e dokumentave përkatës.

Subjekti kërkues (subjekti përfitues/trashëgimtari ligjor/përfaqësuesi me prokurë), në momentin e plotësimit të kërkesës për kompensim, duhet të paraqesë dokumentacionin e mëposhtëm: Kërkesën për kompensimin e pronës, sipas formatit tip, që i vihet në dispozicion nga ATP; dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil; prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. (Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo kërkesë të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2.000 lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme). Po kështu, duhet të paraqesë vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare (IBAN), ku do të transferohet vlera financiare e përfituar; fotokopjen e dokumentit të identifikimit dhe mandat pagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit në vlerën 2.000 lekë.

Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat