Kreditë me probleme në Shqipëri, më të lartat në rajon

Shqipëria

Kreditë me probleme në Shqipëri, më të lartat në rajon

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 10:03
Ilustrim

Pavarësisht rënies, kreditë e pakthyera në afat në sistemin bankar shqiptar mbeten më të lartat në rajon.

Sipas raportit të fundit të Komisionit Europian për vendet kandidate, në tremujorin e parë të vitit 2018, niveli i kredisë me probleme (NPL) në Shqipëri mbeti stabël në 13.4% të totalit të huasë, pas një tendence rënëse në 2017-n.

Në Serbi, e cila dikur kryesonte në rajon, NPL-të kanë zbritur në 9.2%, niveli më i ulët i dekadës. Edhe Mali i Zi i ka ulur huatë me probleme në 7.3%. Të tre këto shtete, Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi, kishin deri dy vjet më parë treguesin e NPL-ve që i kalonte 20%, por pas strategjive që ndoqën për uljen e kredive me probleme, ky tregues u reduktua ndjeshëm, por me ritme më të larta në Serbi dhe Mal të Zi.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, 9.7% e huave janë të pakthyera në afat, në Maqedoni 6.5%. Në Kosovë, ky tregues është vetëm 3.1%, nga 8.7% që ishte në vitin 2013, sipas shifrave të publikuara nga Komisioni Europian.

Rritja më e ulët e depozitave dhe kredive në rajon
Ndërsa rritja e kredive dhe depozitave ka ngecur në Shqipëri nëmuajt e parë të këtij viti, e kundërta ka ndodhur me rajonin, që ka parë një zgjerim më të shpejtë të sektorit bankar në raport me ne.

Kredia ra me 0.1%, ndërsa depozitat u zgjeruan me 1% në tremujorin e parë në Shqipëri.

Në Maqedoni, rritja e kredisë ishte 3.1% dhe e depozitave 6%.

Në Mal të Zi, performanca e sistemit financiar ishte shumë më e mirë, me depozitat që u zgjeruan me 13.8% dhe kredinë me 11.8%.

Në Serbi huatë dhe depozitat u zgjeruan përkatësisht me 2.2 dhe 3.3%, në Bosnjë 5.3 dhe 10.4%.

Në Kosovë rritja e kredive i kalonte 10% dhe ajo e depozitave ishte 8.6%.
Kursimet në Shqipëri në rënie

Kursimet në sistemin bankar kanë shënuar në maj një tjetër rënie të fortë, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në fund të muajit maj, stoku total i depozitave në lekë dhe në valutë zbriti në 968 miliardë lekë, duke rënë me gati 10 miliardë lekë, ose 1% në krahasim me muajin e mëparshëm (70% e rënies erdhi nga tkurrja e kursimeve në valutë). Ky është niveli më i ulët i depozitave që nga korriku i vitit 2015.

Në krahasim me fundin e vitit të kaluar, kursimet e shqiptarëve në banka janë ulur me 33.4 miliardë lekë, ose me rreth 250 milionë euro. 

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat