PS i “shkel syrin” LSI-së, 84 vota mbajnë peng ligjin e Magjistraturës

Shqipëria

PS i “shkel syrin” LSI-së, 84 vota mbajnë peng ligjin e Magjistraturës

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 13:38
Taulant Balla

Në të njëjtën kohë që i bëri me faj disa deputetë të LSI-së për rrengun që i bënë ish bashkëkolegut  të tyre Robert Bitri me kartën e Vangjel Tavos në votimin për ligjin e Teatrit Kombëtar, Taulant Balla pati edhe një ftesë për ish aleatët e PS.

Balla kërkoi shtyrjen e votimi të dy ligjeve që duan shumicë të cilësuar votash siç janë ndryshimi për patentat në Kodin Rrugor dhe ligji i Magjistraturës, që i hap rrugë emërimit të magjistartëve të rinj në gjykatat dhe prokuroritë e vendit, të mbetura bosh pas “kokëve të prera” nga vettingu.

“Nuk kanë asnjë arsye të qenësishme, që përmes një bojkoti pa arsye të bllokojnë votimin në Kuvend. Më lejoni të propozoj që për hir të një procesi dialogu me një pjesë ende të përgjegjshme të opozitës, këto dy projektligje për Patentat dhe Magjistraturën të shtyhen për seancën e datës 23”, tha Balla.

Kreu i Grupit të PS edhe njëherë i mëshon lajmit se ka bisedime me LSI-në për të siguruar 84 votat, pavarësisht se vetë kryetarja Monika Kryemadhi ka mohuar diçka të tillë rreth një javë më parë.

Balla shkoi edhe më tej, duke përsëritur një thirrje publike, sipas tij “në mënyrë të veçantë për LSI që e kanë bashkëvotuar me ne këtë ligj, të mos e shtyjnë ligjin për magjistraturën për këto 15 vajza dhe djem të rinj, pasi do të jenë këta magjistratë të rinj që do të plotësojnë vakancat që po krijon vettingu”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat