Radhë në kufirin grek, emigrantë e turistë presin me orë për të hyrë në Shqipëri

Shqipëria

Radhë në kufirin grek, emigrantë e turistë presin me orë për të hyrë në Shqipëri

Më: 5 gusht 2018 Në ora: 12:54
Kakavijë

Rreth 7.000 shtetas shqiptarë dhe të huaj kanë hyrë në Shqipëri që prej mëngjesit të së shtunës, vetëm përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës.

Fluksi, sipas autoriteteve lidhet me lejet vjetore të emigrantëve, por edhe një tendencë në rritje të vizitorëve që frekuentojnë Jugun e Shqipërisë. Dy herë më i vogël është fluksi e emigrantëve në dalje nga Shqipëria, ndërsa që prej mesnatës kanë pritur në radhë rreth 2 orë në anën greke të kufirit.

Por, me shtimin e një sporteli për përpunimin e dokumenteve nga pala greke, që ishte duke punuar vetëm me dy sportele në hyrje, situata pritet të normalizohet. Në anën shqiptare po punohet me personel të dyfishuar dhe me 4 sportele në hyrje.

Masat janë duke u shtuar edhe në akset nacionale në Jug, që po përballojnë një trafik të ngarkuar që prej fillimit të gushtit. Kreu i Shërbimit të Policisë Rrugore, Artan Tarka tha se akset ku po kryhen punime dhe ato me trafik të rënduar në hyrje të Gjirokastrës, në Qafën e Muzinës dhe në zonën e Ujit të Ftohtë po mbikëqyren nga patrullat e Policisë Rrugore.

Fluksi do të vijojë të rritet në Kakavijë, për të kulmuar fundjavën e ardhshme, ndërsa në pikat e tjera kufitare, në Sopik dhe “Tre Urat” kanë fluks minimal në hyrje dhe në dalje. Autoritetet rekomandojnë përdorimin edhe të këtyre pikëkalimeve, për të evituar dyndjen e njëkohshme në Kakavijë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat