Rreziku i shembjes së pallatit në Gjirokastër, asnjë masë 6 muaj pas rrëshqitjes së dherave

Shqipëria

Rreziku i shembjes së pallatit në Gjirokastër, asnjë masë 6 muaj pas rrëshqitjes së dherave

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 16:45
Pallati

Gjashtë muaj pas rrëshqitjes masive të dherave situata në lagjen Kodra e Shtufit në Gjirokastër është e pandryshuar.

Pallati 8-katësh është ende i mbuluar nga balta dhe rreziku i çarjeve të mëtejshme. Përveç marrjes së mostrave te tokës në shtratin e rrëshqitjes asnjë masë ndërhyrjeje stabilizuese nuk është ndërmarrë. Banorët e pallatit thonë se jetojnë me frikën e stinës së reshjeve. Dhjetëra kërkesa të banorëve nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Që prej muajit shkurt 21 familjet e këtij pallati bashkëjetojnë me baltën dhe frikën për të nesërmen. Situata vazhdon të mbetet e rëndë për dy familjet e katit të dytë dhe të tretë.

Apartamentet e tyre janë të pabanueshme, ndërsa ata jetojnë ende në shtëpi me qira. Në shtëpinë e Suzana Gërxhollit vendin e mobiljeve prej 6 muajve e ka zënë balta, betoni dhe bimësia që po lulëzon, ndërsa kanë humbur çdo shpresë se mund të rikthehen sërish në banesën e tyre.

Po kaq e vështirë është gjendja edhe në familjen Barjami. Sasia e madhe e baltës ka mbuluar tërësisht ballkonin dhe pjesën e jashtme të shtëpisë, ndërsa muret e brendshme të saj jashtë pushtuar nga myku, për shkak të sasisë së madhe të baltës që ndodhet një kat më lart.

Bleona Barjami, banore e katit të dytë, thotë se vlerësimi i dëmeve bërë nga bashkia jo vetëm është i pamjaftueshëm dhe jo real, krahasuar me dëmet e pësuara, por të dëmtuarit janë shpërblyer financiarisht vetëm me fjalë.

Situata është përkeqësuar edhe në gjendjen e përgjithshme të pallatit që bie erë lagështi dhe njeh përmbytje sa herë ka reshje shiu.

Avancimi i rrëshqitjes së tokës duket edhe në pjesën e sipërme të rrugës që ka pësuar çarje të mëtejshme të trotuarit dhe bordurës duke paralajmëruar një tjetër situatë të ngjashme si ajo e shkurtit të këtij viti. Rruga automobilistike prej 6 muajsh është e pakalueshme për mjetet dhe e rrezikshme këmbësorët.

Prefekti i Gjirokastrës Astrit Aliaj,në përgjigje të situatës tha se ende pritet çelja e fondit dhe transferimi i zbatimit të ndërhyrjes nën përgjegjësinë e bashkisë. Megjithëse pritej që punimet të nisnin në periudhën e thatë dhe të përfundonin para sezonit të shirave ende asnjë institucion nuk ka garantuar për kohën e fillimit të ndërhyrjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat