Droga nxjerr blof Ramën, Tahirin e Xhafajn. Ku shkuan premtimet?!

Shqipëria

Droga nxjerr blof Ramën, Tahirin e Xhafajn. Ku shkuan premtimet?!

Më: 8 gusht 2018 Në ora: 16:40
Kanabis

Vite më parë, policia zbarkoi në Lazarat, fshatin famëkeq, dhe e pastroi nga plantacionet e marijuanës. Por banorët gjithmonë e kanë gjetur rrugën për drogën, pasi Lazarati e ka të vështirë jetën pa të. Rama i mëshonte fort faktit se droga nuk do kishte më vend në territorin tonë, e ndërsa ministrat e tij ulën kokën për të bërë më shumë punë. Por nga ministri Tahiri e deri tek ministri Xhafaj, nuk është se është parë ndonjë ndryshim. Kanabisi vërtetë ‘u arratis’ nga fshati rebel, por tashmë po rritet në vende të tjera.

Lazarati fitoi njohje ndërkombëtare disa vite më parë për prodhim të drogës në shkallë të gjerë. Kjo gjë vinte në punë shumicën e burrave, grave dhe ndonjëherë fëmijëve në fshat, ndaj të cilit policia nuk kishte akses ose autoritet. Por edhe sot, ndonëse shumë thuhet se është bërë në këtë drejtim, Shqipëria ende nuk e ka mbajtur premtimin për luftën ndaj drogës.

Jo vetëm Rama, por Tahiri e Xhafaj kanë premtuar para qytetarëve për luftë pa mëshirë kundër drogës, por ky problem duket se do ende shumë kohë për të marë drejtim. Tashmë është bërë e udhës që të dëgjojmë premtimin: “Këtë vit i japim fund historisë së kanabisit!”.

Ja se çfarë deklaronte Rama para drejtuesve të policisë më 24 qershor 2014, kur forcat speciale vazhdonin operacionin në “kryeqytetin e kanabisit”.

“Lazarati tregoi se ne mundemi, por nuk tregoi se ne kemi arritur aty ku duhet të arrijmë. Ambicia ime është e qartë, që brenda këtyre 4 viteve ne nuk duhet të krahasohemi as me të kaluarën, dhe as me të tashmen, por me më të mirën e rajonit…. Ju dhe ata që vazhdojnë të jenë sonte në Lazarat ia ngritët kokën lart Shqipërisë… për ta kthyer Shqipërinë nga një vend i parë me përbuzje dhe përqeshje në mes të Europës, në një vend që shikohet me respekt”.

E ndërsa në 2017, Tahiri deklaronte se Shqipëria ka qenë turpi i botës për shkak të drogës, por askush nuk fliste. Gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama dhe drejtues të Policisë së Shtetit, Tahiri u shpreh i bindur se mund të bëhet më tepër.

“Përpara se kjo qeveri të merrte detyrën, zjarrfikëset e Shtetit, autobotet e Ujësjellësit ujisnin parcelat publikisht – por çuditërisht nuk kishte asnjë debat për kanabisin. Askush nuk fliste. Askush nuk dukej i shqetësuar. As qeveria e atëhershme nuk shqetësohej. As analistët (që sot nuk lenë ekran, as gazetarët, as media, as shoqëria civile, askush nuk fliste. Heshtje.

Ndonëse jo vetëm Lazarati ishte mu në kokën tonë, por e gjithë Shqipëria ishte e mbytur në kanabis, të gjithë të qetë. Të gjithë në paqe. E mbi të gjitha trafikantët, në qetësi e në paqe. E që tamam atë qetësi e paqe e kishin parajsë për biznesin e tyre të pashqetësuar.

Sot është e kundërta. Është krejtësisht e kundërta: të gjithë janë të shqetësuar! Dhe shumë mirë. Sepse kjo është arritja jonë më e madhe: shqetësimi i të gjithëve. Askush nuk është i qetë. Askush nuk fshihet. Askush nuk bën “sikur”. Dhe pikërisht kjo qeveri, ne, Policia e Shtetit, i vuri gishtin problemit dhe filluam ta zgjidhnim”, ka thënë ai në 3 mars të 2017-ës.

Po çfarë po ndodh sot? Para 4 ditëve u zbuluan 1.4 ton drogë në Memaliaj. Droga nuk ka të mbaruar në Shqipëri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat