Bie Gjykata e Lartë! Sytë nga Zoti

Shqipëria

Bie Gjykata e Lartë! Sytë nga Zoti

Më: 10 gusht 2018 Në ora: 15:30
Gjykata e Lartë

Në sallën e Gjykatës së Lartë, lutja e Nënë Terezës për gjyqtarët kumbon më shumë se asnjëherë tjetër. Atëherë kur gjykata supreme është përmbytur nga dosjet, por është boshatisur nga gjyqtarët, kjo lutje drejtuar Zotit është tejet e domosdoshme.

Nga 19 që duhet të ishin në detyrë, shkalla e fundit e gjyqësorit ka mbetur vetëm me kryetarin Xhezair Zaganjori dhe gjyqtarët Medi Bici, Ardian Dvoranin dhe Edmond Islamaj dhe vështirë se do të ketë zgjidhje të shpejtë për 26 500 qytetarët që presin drejtësi.

Në ditë vere si kjo ditë gushti, gjyqësori funksionon me kalendar gatishmërie, por tashmë kjo formulë është përmbysur në Gjykatën e Lartë për shkak të Vettingut. Aktualisht kanë mbetur vetëm katër gjyqtarë, të cilët po shqyrtojnë vetëm çështjet më emergjente.

Vetëm këtë të premte gjyqtarët e ngelur kanë shqyrtuar 96 çështje të konsideruara urgjente. Asnjëri prej tyre nuk mund të largohet pasi bëhet fjalë për çështje që kanë afate, sikurse janë dosjet e ekstradimeve, të urdhrave përmbarimorë, pensionit ushqimor, të gjobave dhe atyre administrative.

Nëse këtyre çështjeve u kalon afati, atëherë disa të arrestuar i drejtohen lirisë, ndërsa çështjet civile dhe administrative hyjnë në kolaps. 

E ndërsa të treja kolegjet kanë rënë dhe shqyrtimi i dosjeve realizohet vetëm në dhomë këshillimi, duke huazuar gjyqtarë nga kolegjet e tjera, situata do të vështirësohet akoma më shumë në shtator.

Gjykata e Lartë nuk mund të dalë në seancë gjyqësore, përveç atyre që zgjidhen në dhomë këshillimi. Ajo tashmë është kthyer në një urgjencë që zgjidh vetëm çështjet me afate.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat