Ndërsa duhet edhe pak kohë që shkollat të hapin dyert për nxënësit në vitin e ri mësimor, aktualisht të gjitha shkollat e Tiranës po restaurohen nga bashkia e Tiranës e po bëhen gati për të pritur nxënësit në shtator.
Krahas hapjes së shkollave të reja këtë vit, edhe ato ekzistuese pritet që t’i mirëpresin fëmijët e kryeqytetit me kushte shumë herë më të mira. Në shkollën “Partizani” është bërë lyerja e godinës dhe riparimet e brendshme, ndërkohë që edhe në shkollën “Myslym Keta” po punohet me intensitet duke riparuar dyert, sistemin elektrik si dhe sistemin e tualeteve.
Riparimeve këto kohë i janë nënshtruar edhe shkollat “28 Nëntori” si dhe “Kongresi i Lushnjes”, ku krahas riparimit të fasadave dhe ambienteve të brendshme, janë rregulluar edhe tarracat.
Në kryeqytet ka marrë jetë projekti për ndërtimin e shkollave të reja, i cili do t’i japë zgjidhje përfundimtare mësimit me dy turne, sikurse vetë kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka premtuar. /ATSH