Prodhimi i rakisë së manit, traditë në Boboshticë

Shqipëria

Prodhimi i rakisë së manit, traditë në Boboshticë

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 12:16
Prodhimi i rakisë së manit është ndër të paktat procese artizanale të konservuara me fanatizëm.

Boboshtica është një fshat i njohur jo vetëm për mikpritjen dhe traditën e tij, por edhe për rakinë e manit. Prodhimi i rakisë së manit është një traditë shekullore, kaluar brez pas brezi.

Në shtëpitë boboshtare nuk mungon kazani i rakisë dhe tradita e prodhimit, ndërsa banorët tregojnë se rakia njihet edhe për vetitë kuruese.

Ilo Mileci është një prej këtyre banorëve, i cili prej vitesh prodhon raki mani, duke ndarë me ne edhe sekretet e kësaj prodhimtarie.

“Mbaj mend kur isha i vogël se, pasi bënim dush na fërkonin me raki mani, ndoshta që të mos ftoheshim, nuk e di. Mblidhen manat kokërr më kokërr, hidhen në një enë të madhe ku stazhionohet, fermentohet”, thotë ai.

Pjesë e festës së rakisë janë bërë shumë qytetarë nga Korça, të cilët e njohin dhe e vlerësojnë këtë produkt tradicional, ndërsa kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo tha se kjo festë synon promovimin e traditës.

“Paketa e festave në fshat, pjesë e së cilës është edhe festa e rakisë në Boboshticë, do të vazhdojë të promovohet dhe të mbështetet nga Bashkia e Korçës edhe në vitet në vijim. Kjo paketë, dalëngadalë të bëhet pjesë e guidave dhe paketave turistike që organizohen nga Bashkia e Korçës”, tha Sotiraq Filo.

Prodhimi i rakisë së manit është ndër të paktat procese artizanale të konservuara me fanatizëm. Banorët e Boboshticës dhe Drenovës janë ata që e prodhojnë dhe e shërbejnë atë bashkë me reçelin, në shenjë mikpritjeje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat