Muzeu i Krujës, objektet që tërheqin vëmendjen e vizitorëve

Shqipëria

Muzeu i Krujës, objektet që tërheqin vëmendjen e vizitorëve

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 14:08
Muzeu i Krujës

Viti i Skënderbeut i ka ridimensionuar muzetë dhe objektet e vizitueshme që lidhen me figurën e heroit kombëtar të shqiptarëve, duke bërë që jo vetëm turistët e huaj që vijnë në Shqipëri, por edhe qytetarët shqiptarë të tregojnë interes për këto atraksione historike. Kështu, muzeu më i njohur i Skënderbeut në vendin tonë, ai i Krujës, po njeh rritje të numrit të vizitorëve, ndërsa të dielat e fundit të çdo muaji dhe ditët e festave rezervojnë hyrje të lirë për vizitorët.

Ajo që e bën unik këtë muze është fakti që aty ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavione trajtohet historia e Mesjetës së hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu i njohur edhe si Muzeu i Skënderbeut dhe Muzeu i Krujës është një nga më të vizituarit në Shqipëri. Përurimi i muzeut është bërë më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës, por ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve.

Ky muze është ndërtuar në kalanë e famshme të Krujës, kryeqendra e shtetit të Arbrit dhe personifikim i disfatës së ushtrive osmane, për tri herë rresht, në shekullin XV. Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Në këtë muze numërohen pavione të tilla si pavioni i Antikitetit dhe Mesjetës së Hershme, pavioni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavioni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinokotekës dhe së fundi pavioni i trashëgimisë dhe i jehonës. Në këto pavione janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronxi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbanë e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV etj.

Institucionet përkatëse për monumentet e kulturës këtë vit kanë bërë të mundur që çdo të diel të fund të muajit dhe ditët e festave hyrja në këto institucione trashëgimie të jetë falas për vizitorët. Ndikimi ka qenë i qartë, me rritjen e vazhdueshme të numrit të vizitorëve të huaj dhe atyre vendas.

Muzeu i Krujës ndodhet në një pikë piktoreske të qytetit, dhe vizitorët nuk e anashkalojnë asnjëherë një vizitë në të, ndërsa ndodhen në qytetin e Krujës, për të para pazarin apo kalanë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat